Në një terren me pluhur në Yambio, nën një pemë të madhe mango, një grup prej 30 vajzash dhe djemsh, disa të veshur me rroba ushtarake dhe disa me armë pranë tyre, ulen në hije duke ngrënë biskota ndërsa presin fillimin e ceremonisë për lirimin e tyre nga ushtria.
Ambasadori i SHBA dhe mysafirë të tjerë po vijnë nga kryeqyteti Juba për të marrë pjesë në këtë ngjarje.
Siç shkruan aljazeera, përcjell Telegrafi, ata janë pjesë e 900 fëmijëve të liruar nga forcat e armatosura në Sudanin e Jugut në 2018, vendi me një nga numri më i madh i ushtarëve fëmijë në botë.
Ceremonia konsiston me heqjen e rrobave ushtarake nga ata, duke marrë fletore dhe çanta shkollore me etiketa të UNICEF.
Megjithatë, sipas OKB-së, ende ekzistojnë 19,000 fëmijë në forcat e armatosura në Sudanin e Jugut, një numër i kontestuar nga ushtria.
“Ne kemi shqetësime për shifrat e botuara nga UNICEF-i, nuk e dimë se si dolën ata numra. Nuk është e vërtetë që disa grupe të tjera që ishin të integruara në SPLA kishin ushtarë fëmijë – politika jonë është e qartë: ne nuk duam ushtarë fëmijë”, ka thënë Lul Ruai Koang, zëdhënës i Forcës së Mbrojtjes Popullore të Sudanit Jugor (ish SPLA).
“Ne i dhamë emrat e tyre UNICEF-it. Në Pibor ose në Yambio, ata janë demobilizuar, ne vetëm lehtësojmë procesin, pasi është përgjegjësia e tyre për t’i ndihmuar”.
Dhe siç shkruan tutje aljazeera, përcjell Telegrafi, shumë prej fëmijëve në ceremoni tashmë janë kthyer në komunitetet e tyre para lirimit zyrtar.
Ata morën kontrolle mjekësore, këshillime dhe mbështetje psiko-sociale si pjesë e rehabilitimit të tyre, dhe disa u ndihmuan për t’u kthyer në shkollë, ndërsa të tjerët morën trajnime profesionale. Familjeve të tyre iu dha gjithashtu ndihma ushqimore.
Por në të gjithë Sudanin e Jugut dhe në kampet e refugjatëve jashtë vendit, ka fëmijë dhe të rinj që u larguan ose shpëtuan nga forcat e armatosura, por nuk morën ndihmë dhe nuk kanë kaluar nëpër një program rehabilitimi.
Në varësi të moshës, djemtë ose përdoren si rojtarë, pastrues, ose janë të trajnuar për të luftuar. Vajzat shpesh merren si “gra” dhe shpesh kthehen në komunitetet e tyre me fëmijë.
“Ne e shohim depresionin, ankthin,…”, thotë Rayan Fattouch, specialist i shëndetit mendor që punon në Yambio me Mjekët Pa kufij (i njohur nga inicialet franceze, MSF).
MSF po shqyrton mjekësisht fëmijët që ishin të lidhur me grupe të armatosura.
Një pjesë e këtij procesi është aspekti i shëndetit mendor.
Kjo ka të bëjë me fëmijët dhe të rinjtë të cilët janë duke u përballur me “trauma mesatare e të rënda”.
“Fëmija duhet të ndihet i përqafuar nga komuniteti i tij dhe kjo mund të ndryshojë nga një komunitet në tjetrin, varësisht nga përvojat që ata kanë kaluar, ata kanë traumën e tyre”, citohet të ketë thënë Fattouch. /Telegrafi/