Site icon Telegrafi

Subvencionimi i teksteve shkollore, rrjedhin të dhënat personale të aplikantëve në Mitrovicë

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) informon publikun dhe të gjitha palët e përfshira se ka pranuar një njoftim mbi qarkullimin, në platforma të ndryshme të komunikimit, të një dokumenti që përmban të dhëna personale të qytetarëve që kanë aplikuar për subvencione për libra shkollorë.

Në njoftim thuhet se në këtë dokument janë të dhënat personale të aplikuesve (kryesisht prindërit) dhe të dhënat e fëmijëve të tyre, të Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe Komunës së Mitrovicës së Veriut.

“Ky dokument është duke qarkulluar në grupet e prindërve me qëllim të verifikimit të aplikimit”, thuhet në njoftim.

Për të garantuar mbrojtjen e të dhënave personale dhe për të siguruar përputhshmërinë me Ligjin Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Agjencia bën thirrje që asnjë individ apo institucion që ka qasje në këtë dokument nuk duhet ta shpërndajë apo të publikoj më tej këtë dokument me këto të dhëna personale të qytetarëve.

“Përhapja e mëtejshme e këtij dokumenti përbën shkelje të Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe mund të rezultojë në pasoja ligjore.

Të gjithë individët dhe institucionet që posedojnë një kopje të këtij dokumenti janë të obliguar ta fshijnë/shkatërrojnë atë menjëherë nga të gjitha pajisjet elektronike dhe çdo depozitë të dhënash, qoftë fizike apo digjitale, ku mund të jetë i ruajtur dokumenti”, thuhet tutje.

Agjencia për Informim dhe Privatësi thekson rëndësinë e respektimit të dispozitave të Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Në rast të mosrespektimit të këtyre udhëzimeve, Agjencia ka të drejtë dhe obligim ligjor të ndërmarrë veprime sanksionuese ndaj individëve ose institucioneve që shkelin dispozitat e këtij ligji. Mbajtja e përgjegjësisë për të dhënat personale është një detyrim ligjor dhe etik i secilit prej nesh, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version