Site icon Telegrafi

‘Subvencionet 1’, dëshmitari: Kam mbajtë 1 vit burg me ju bo mirë hajnave të shtetit

Në gjykimin e Salih Kelmendit, i akuzuar për marrje ryshfeti dhe për falsifikim të dokumenteve në rastin gjyqësor të njohur si “Subvencionet 1”, pjesa e veçuar, në seancën e datës 07.10.2024 ka dëshmuar Bekim Shala, për të cilin gjyqtari Kujtim Krasniqi bëri të ditur se është dëshmitar bashkëpunues.

Në seancën e sotme, dëshmitari tha se arsyeja pse kishte mbajtur 1 vit burg kishte qenë “me ju bo mirë hajnave të shtetit”.

Në momentin kur u pyet nga avokati Besnik Berisha, i cili është mbrojtësi i të akuzuarit Salih Kelmendi, se çfarë mendonte me këtë pjesë, dëshmitari deklaroi se “çdokush që e bën një punë e ka një përfitim, një përqindje të asaj pune që e bën” dhe se ai personalisht nuk kishte pasur asnjë cent përfitim nga kjo.

Ai tha se i ishin lutur: “Bekë a po na e bën këtë të mirë se na të ndihmojmë në grant”.

“Kur ka dalë shpallja me apliku për grant nuk kam apliku hiç se e kam pa që nuk ka asgjë prej këtyre hajnave“ – shtoi tutje dëshmitari Bekim Shala.

“Sa vite ka përafërsisht që ju përfitoni subvencione nga shteti?” – ishte pyetja e radhës e cila iu parashtrua këtij dëshmitari sot.

“Nga viti 2017-2018, por gjithmonë kam qenë korrekt” – deklaroi dëshmitari Bekim Shala.

Tutje ai deklaroi se merret shumë gjatë me bujqësi dhe se ka përfituar nga shteti subvencione për grurë dhe misër ndërsa sa i përket aplikimeve dëshmitari theksoi se i kishte bërë vet, edhe në emrin e bashkëshortes së tij dhe se aplikimet i kishte bërë në Komunën e Pejës.

Ai po ashtu deklaroi se Alban Buzhanit i kishte dhënë tri herë para dhe një herë Salih Kelmendit mirëpo shuma nuk i kujtohet saktë.

Seanca e sotme u ndërpre për arsye së anëtari i trupit gjykues Valon Kurtaj kishte një seancë tjetër, ndërsa dëshmia e këtij dëshmitari pritet të vazhdojë gjatë muajit dhjetor.

Kjo çështje po gjykohet në Departamentin Special nga trupi gjykues i përbërë nga Kujtim Krasniqi – kryetar, dhe anëtarët Lutfi Shala dhe Valon Kurtaj, ndërsa aktakuza përfaqësohet nga prokurori Rafet Halimi.

Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë edhe ndaj 15 personave – rasti “Subvencionet 2”.

Për vepra të ngjashme penale është duke u zhvilluar një proces gjyqësor ndaj disa personave rasti “Subvencionet 3”.

Prokuroria pati bërë një njoftim se tashmë ka aktakuzë edhe ndaj disa personave – rasti “Subvencionet 4”.

Ata po akuzohen për vepra të njëjta, marrje e dhënie ryshfeti, detyrim, keqpërdorim të detyrës zyrtare e të tjera.

Përmes aktakuzës, Prokuroria pretendon se ka zbuluar afera të shumta korruptive me subvencione në të cilat ishin të përfshirë zyrtarë të shumtë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB).

Sipas këtij organi, skema e korrupsionit ishte ndërtuar në atë formë që aplikuesit që hynin në marrëveshje me zyrtarët e AZHB-së, udhëzoheshin që të aplikonin për mbjelljen e bimëve mjekësore aromatike nga ku më pas vlera e subvencionit të fituar ndahej në mes tyre në përqindje të ndryshme të cilat shkonin deri në 70% për zyrtarët e AZHB-së.

Skema e përshkruar në aktakuzë tregon se aplikuesve që hynin në marrëveshje me zyrtarët e AZHB-së u siguroheshin në mënyrë të kundërligjshme certifikatat për bujqësi organike të cilat ishin si parakusht i përfitimit të subvencionit.

Aktakuza përshkruan se Luan Statovci, drejtor i pagesave në AZHB, qasej në lëndët e aplikuesve dhe fotografonte dokumentacionet e tyre e të cilat më pas i dërgonte përmes telefonit te vëllai i tij, Salih Statovci.

Ky i fundit këto fotografi, sipas Prokurorisë, i dërgonte tek A. A., i cili në cilësinë e drejtorit të “Bio-Q-Check” lëshonte në mënyrë të kundërligjshme certifikata për bujqësi organike pa pasur ndonjë kontroll paraprak.

E gjithë kjo procedurë sipas organit ndjekës ndodhte pasi aplikuesit hynin në marrëveshje dhe bindeshin që t’i ndryshonin aplikacionet për subvencionimin e kulturave të tjera në aplikacionet për subvencionimin e mbjelljes së bimëve mjekësore.

Në këtë mënyrë ata akuzohen se u kanë mundësuar aplikuesve përfitim të kundërligjshëm dhe kanë dëmtuar mbi gjysmë milion euro buxhetin e vendit.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të pandehurit Jeton Sylaj, Luan Statovci dhe Hasan Maxharraj, ngarkohen me veprën penale – keqpërdorim i autoritetit zyrtar, kurse mbi Maxharrajn rëndon edhe akuza për – mashtrim me subvencione.

Mbi të pandehurin Luan Statovci rëndojnë edhe akuzat për marrje ryshfeti në bashkëkryerje me Sadat Shkodrën, kurse Florim Nimonaj ngarkohet me veprën penale – dhënie ryshfeti, raporton Kallxo.

Exit mobile version