Në rastin “Subvencionet 1’, në pjesën e veçuar ku po akuzohet Salih Kelmendi, është dëgjuar dëshmitari bashkëpunues Bekim Shala.
Shala ka thënë se është mashtruar nga i akuzuari Kelmendi dhe një i akuzuar tjetër.
“Mashtrimi o ba se o konë koha atëherë e mashtrimit, o kon smuja e Covidit, kryna ti neve qetë punë, po e shndërrojnë prej grurit në bimë aromatike, s’pe di çka janë ato, e kanë bo shndërrimin vetë pa prezencën teme dhe paret e qeti shndërrimit me ua jep këtyne, pa asnjë cent te unë”, tha Shala, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Ai ka mohuar që të ketë pasur marrëveshje për marrjen e ndonjë përqindjeje në të holla nga rasti në fjalë, dhe siç thotë ai edhe po t’i ofroheshin të njëjtat nuk do t’i pranonte.
Shala gjithashtu, para trupit gjykues ka ofruar një provë, një kopje të “screenshots”, të bisedave në “WhtasApp” siç pretendon dëshmitari mes tij dhe të akuzuarit Kelmendi.
Për këtë, prokurori Rafet Halim i ka propozuar gjykatës që të merret foto si provë e pranueshme pasi të njëjtës i dihet burimi, ndërsa ka thënë se nëse gjykata e konteston, nëse Shala dëshiron, atëherë të dorëzojë telefonin dhe t’i bëhet ekzaminimi nga forenzikë për të gjitha komunikimet që ka bërë me të akuzuarin.
Në anën tjetër, qëndrim të kundërt lidhur me këtë ka pasur mbrojtësi i të akuzuarit Salih Kelmendi, avokat Besnik Berisha.
I njëjti, ka apeluar te gjykata që dëshmia e dorëzuar nga Shala assesi të mos trajtohet si provë.
“Kjo besoj është kurora e dëshmisë më jokredibile që mund ta ketë një dëshmitar bashkëpunues i cili për lirinë e tij, për një ‘zemërgjerësi’, ka përfitu benificione në Prokurori, ndërkohë edhe sot shtetit i ka borxh për t’i kthy mjetet që i ka përfitu dhe me të tjerët i ka shfrytëzu”, ka thënë mes tjerash Berisha.
Lidhur me këtë trupi gjykues ka marrë aktvendim përmes të cilit ka refuzuar që në cilësinë e provës materiale të merret foto që e ka dorëzuar dëshmitari pasi që e njëjta sipas tyre është thelbësisht e pambështetshme, dhe nuk përmban të dhënat e nevojshme që të konsiderohet si provë.
Në shkurt të 2022-ës, PSRK kishte ngritur aktakuzë ndaj 21 të pandehurve, në rastin “Subvencionet 1”, të cilët janë: Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Habibe Dauti, Alban Bushati, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Salih Kelmendi, Bekim Shala, Fuat Morina, Dukagjin Mavraj, Flamur Zeqiri, Daut Kabashi, Kastriot Berisha, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj.
Ndryshe, në seancën e 21 shkurtit 2023, trupi gjykues kishte veçuar procedurën për të akuzuarit Nivokazi dhe Kelmendi, duke shtuar se gjykata në seancës e radhës do të vlerësojë nëse procedura do të vazhdohet ndaras apo do të bashkohet, raporton betimiperdrejtesi.
Ndërkaq, në seancën e 14 prillit 2023, ishte bashkuar procedura penale ndaj të akuzuarit Nivokazi me të akuzuarit e tjerë.
Në seancën e 13 prillit 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë për 7 nga 21 të akuzuarit në rastin “Subvencionet 1”.
Ndërsa, më 19 prill 2022 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”, Alban Bushati, Kastriot Berisha, Bekim Shala, Flamur Zeqiri, Habibe Dauti, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi, duke i dënuar me 6 vite e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.
Sipas aktakuzës së ndryshuar të PSRK-së, të 4 prillit 2022, Flamur Zeqiri, Bekim Shala, Kastriot Berisha dhe Dukagjin Mavraj, akuzoheshin për veprën penale mashtrim me subvencione, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar akuzohej Habibe Dauti, për marrje ryshfeti dhe falsifikim të dokumenteve akuzohej Alban Bushati, ndërsa për dhënie ryshfeti akuzohej Daut Kabashi.
Aktakuza e ndryshuar më 4 prill 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Luan Statovcin, Sadat Shkodrën, Salih Statovcin, Berat Nikën, Hasan Maxharrajn, Kushtrim Zogajn, Jeton Sylajn, Lulzim Hajdarajn, Musa Nivokazin, Almir Abdurrahmanin, Salih Kelmendin, Fuat Morinën, Afrim Abazajn dhe Florim Nimanajn me veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim me subvencione”, e të tjera.