Telegrafi

Subjektet politike shkelin rregullat gjatë fushatës zgjedhore, PZAP i dënon ato me mijëra euro

Subjektet politike të cilat garojnë në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit nuk janë duke respektuar në mënyrë të kënaqshme Kodin e Mirësjelljes, respektivisht rregullat e fushatës zgjedhore.

Kështu ka konsideruar kryesuesi i Sekretariatit në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Mul Desku.

Desku tha për Telegrafin se deri tani kanë pranuar 49 ankesa dhe se kanë shqiptuar gjoba ndaj gjashtë subjekteve politike.

“Numri i ankesave të paraqitura në PZAP, prej datës 25 shtator 2019, kur edhe ka filluar fushata zgjedhore e Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvend të Kosovës të 6 tetorit 2019, është si në vijim: Gjithsejtë: 49 ankesa, 36 ankesa janë shqyrtuar dhe vendosur, 25 ankesa janë pranuar, 11 ankesa janë refuzuar, 13 ankesa janë në procedure te shqyrtimit”, ka thënë Desku për Telegrafin.

Desku tregoi se cilat janë gjobat e shqiptuara nga PZAP-i, për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore, të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvend të Kosovës të 6 tetorit 2019.

“Lidhja Demokratike e Kosovës me 30,500.00 euro, Partia Demokratike e Kosovës me 29,000.00 euro, Lista Serbe me 30,000.00 euro, Koalicioni AAK-PSD me 26,200.00 euro, Koalicioni Nisma- AKR- PD me 2,500.00 euro, PREG me 250.00 euro, gjithsej 118,450.00 euro”, bëri të ditur ai.

Ndër të tjera ai tregoi se cila është natyra e ankesave që kanë pranuar  për fushatë zgjedhore.

” Vendosja e posterave ne hapësira publike, përdorimi i fëmijëve në fushatë, presion ndaj votuesve për të votuar subjektin e caktuar politik, shfrytëzimi i pozitës publike me qellim përfitimit të votave, përdorim i gjuhës së urrejtjes, vendosja e tavolinës me postera të kandidatëve në rrugë publike, vendosja e tendës me materiale propagandues në rrugë publike, shpërndarja e videove neper rrjete sociale dhe përdorim i fëmijëve në fushatë zgjedhore”, tha ai.

Desku tha se ndaj disa vendimeve me të cilat PZAP-i ka shqiptuar gjoba ndaj subjekteve politike, palët kane parashtruar ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Lexo po ashtu Zgjedhjet e 6 tetorit, KQZ tregon si duhet plotësuar fletëvotimin

Ndryshe, subjektet politike do të jenë në fushatë zgjedhore edhe tri ditë deri më 4 tetor,  të shtunën do të jetë heshtje zgjedhore ndërsa të dielën qytetarë do t’iu drejtohen kutive të votimit, për të votuar të preferuarit e tyre për deputetë si dhe njërin nga kandidatët për kryeministër./Telegrafi/