Luis Suarez do të mirëpriste rikthimin e Neymarit në Barcelonë, por pranon se çdo veprim për të sjellë brazilianin nga Paris Saint-Germain do të ishte i komplikuar.
Njëri nga lojtarët më të preferuar në Camp Nou mori vendimin për të marrë një sfidë të re në verën e vitit 2017 duke u transferuar në Ligue 1 te PSG.
Transferimi i tij vendosi një rekord prej 222 milionë eurosh, pasi Neymar në katër vitet e tij në Kataluni kishte dhënë 105 gola dhe një numër të madh trofesh.
Barcelona ka hasur në vështirësi për ta zëvendësuar atë dhe për këtë ka pasur spekulime të vazhdueshme në lidhje me një rikthim të mundshëm të tij në Camp Nou.
Suarez, i cili lulëzoi së bashku me të dhe Lionel Messin në treshen e famshme ‘MSN’, pranon se do të dëshironte që Neymar të kthehej, por nuk është i bindur se mund të bëhet një marrëveshje.
“Në futboll, gjithmonë them që kurrë nuk e dini se çfarë mund të ndodhë”, ka thënë fillimisht Suarez për Sport.
“Sot ai është duke u kënaqur jashtëzakonisht në Paris. Është e qartë se ai ka objektiva atje”.
“Por, natyrisht, si një partner sulmi, mik apo tifoz, gjithmonë dëshiroj më të mirën nga ana ime. Por është diçka hipotetike dhe e pamundur të parashikohet “.
“Ai është një lojtar që bën diferencën. Por, duhet të jeni të vetëdijshëm se vendimi që ka bërë në momentin e largimit ishte i komplikuar sa do të ishte edhe tani nëse vendos të kthehet”, përfundoi uruguaiani. /Telegrafi/