Telegrafi

Stuhitë e fuqishme në Francë lënë të vdekur një grua 57 vjeçare

Rajoni verior francez i Aisne ka pësuar rrëshqitje të mëdha dheu pas një periudhe me reshje të dendura shiu midis 1 dhe 2 majit.

Bëhet e ditur se veçanërisht nga reshjet është prekur qyteti i Courmelles ku nga rrëshqitjet e dheut ka mbetur e vdekur një grua 57 vjeçare.

I plagosur ka mbetur edhe partneri i saj i cili është dërguar në spital, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Raportohet se kryebashkiaku i Courmelles ka ngritur një qendër për të ndihmuar të prekurit nga ngjarja dhe ka paralajmëruar qytetarët të marrin masa mbrojtëse.

Në përpjekjet për kërkim-shpëtim në atë zonë kanë marrë pjesë 56 zjarrfikës.

Ndryshe, moti i ligë e ka kapluar edhe Parisin ku për shkak të stuhive janë devijuar rreth 40 fluturime.

Gjithashtu, të prekur nga stuhitë e fuqishme dhe breshëri janë edhe rajoni i Chablis ku raportohet për dëme të konsiderueshme në vreshta. /Telegrafi/