Sinjalizimi në kohë i policisë maqedonase për policinë kufitare shqiptare, ka bërë të mundur që jeta e tyre të shpëtoj në momentin kur ata pothuajse kishin humbur çdo shpresë. Sipas burimeve policore, gjithçka ka nisur në orën 23:30 të ditës së diel. Në momentin që dy varkat me të cilat po udhëton nga ishulli në tokë turistët finlandezë, janë përballur me një stuhi.
Finlandezët kanë mundur që nëpërmjet celularëve të njoftojnë policinë e Resnjës, ndërkohë që këta të fundit, kanë njoftuar policinë shqiptare, në territorin e së cilës rrezikohej jeta e turistëve. "U nisëm me shpejtësi me dy skafe, por ndërhyrja qe shumë e vështirë për shkak të dallgëve të mëdha. Në orën 02:40 të ditës së hënë, mundëm të gjejmë dy varkat e turistëve të huaj dhe t’i marrim në skafet tona", thanë burimet e policisë së Korçës.
Turistët finlandezë kishin ardhur në Prespë nga agjencia "Lale Turs" me qendër në Ohër dhe kishin marrë dy varka metalike me qira për të vizituar ishullin në liqenin e Prespës. Por gjatë kthimit, si pasojë e stuhisë, ata u gozhduan në mes të liqenit për më shumë se 8 orë. Pas ndihmës së dhënë, turistët finlandezë vazhduan itinerarin e planifikuar më parë. Në të njëjtin vend, më 4 maj 1996 janë mbytur në liqen me varkë 13 nxënës maturantë nga Pogradec dhe mësuesi i tyre kujdestar Mondi Mato, raportoi Gazeta Shqiptare./Telegrafi/