Site icon Telegrafi

Stuhia e Saharasë që mbuloi me pluhur radioaktiv Evropën në vitin 2022- shkencëtarët zbulojnë gjurmë tronditëse të testeve bërthamore

Një ekip ndërkombëtar i klimatologëve ka zbuluar se pluhuri që arriti në Evropë në mars të vitit 2022 nga Saharaja përmbante izotopa radioaktivë, por burimi i tij nuk ishte testimi bërthamor francez në Algjeri gjatë viteve 1960, siç ishte menduar fillimisht.

Në vend të kësaj, gjurmët e plutoniumit në pluhur tregojnë se ato vinin nga provat bërthamore që zhvilluan Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.

Ndërmjet vitit 1960 dhe 1966, Franca ka shpërthyer 17 bomba bërthamore në Sahara, kur Algjeria ende ishte nën kontrollin kolonial francez, shkruan science.

Edhe pse ata pretendonin se testet zhvilloheshin në zona të pabanuara, mijëra njerëz, përfshirë ushtarë francezë, ishin të ekspozuar ndaj rrezatimit. Disa burime vlerësojnë se deri në 60 mijë algjerianë ishin prekur nga provat bërthamore, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Francës jep një numër dukshëm më të ulët, prej 27 mijë.

Në muajin mars të vitit 2022, një stuhi e fuqishme ngriti pluhurin saharian dhe e çoi atë deri në Evropë. Shkencëtarët analizuan 53 mostra pluhuri të mbledhura nga lokacione të ndryshme dhe zbuluan praninë e izotopeve radioaktivë. Megjithëse pluhuri vinte nga rajoni algjerian i Reganit, ku francezët kishin kryer prova bërthamore, raporti izotopik i plutoniumit nuk përputhej me atë që do të pritej nga bombat franceze (nën 0,07). Në vend të kësaj, me një raport mesatar prej 0,187, gjurmët përputheshin me provat bërthamore të SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik.

Edhe pse as SHBA-ja dhe as Bashkimi Sovjetik nuk kishin testuar armët bërthamore në Sahara, shpërthimet e tyre në pjesë të tjera të botës ishin kaq të fuqishme sa që pjesët radioaktive arritën në shtresat e larta të atmosferës dhe u përhapën nëpër planet, duke përfshirë Saharën. Sipas kërkimit, fuqia e shpërthimeve franceze përbënte vetëm 0,02 për qind të forcës totale të provave bërthamore që SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik zhvilluan midis viteve 1950 dhe 1970.

Lajmi i mirë është se niveli i radioaktivitetit në pluhurin saharian që mbërriti në Evropë nuk paraqet rrezik për shëndetin. Sipas standardeve të Bashkimit Evropian, nivelet e detektuara të rrezatimit janë shumë nën kufijtë e sigurisë dhe nuk janë ndjeshëm më të larta se rrezatimi natyror në dhe. Autori kryesor i studimit, Yangjunjie Xu-Yang nga Laboratori i Klimës dhe Shkencave të Mjedisit në Francë, theksoi se nuk ka rrezik të vërtetë për publikun.

Edhe pse radioaktiviteti nuk është një problem, pluhuri saharian vazhdon të përbëjë një sfidë serioze ekologjike për shkak të rolit të tij në ndotjen atmosferike. Shkencëtarët theksojnë se politikanët duhet të përqendrohen në masa për të zvogëluar pasojat e këtyre stuhi, por gjithashtu të informojnë publikun se kjo ndotje nuk është e lidhur me radioaktivitetin. /Telegrafi/

Exit mobile version