Intensiteti i lartë i reshjeve të dëborës ka bllokuar disa zona në Qarkun e Elbasanit.
Në fshatrat e Librazhdit Gizavesh, Letëm, Lunik, Stëblevë, Qarrishtë apo Sopot e Rrajcë Skëndërbe në Përrenjas trashësia e dëborës i ka kaluar 30 cm dhe intensiteti i reshjeve e bën shumë të vështirë ndërhyrjen.
Aksi nacional Librazhd Peshkopi kalohet vetëm me përdorimin e zinxhirëve, përveç trashësisë së dëborës rruga ka prani edhe të ngricave.
Punohet vazhdimisht nga kompanitë për pastrimin e aksit nacional Përrenjas-Qafë Thanë, por edhe në këtë aks rrugor policia nuk lejon lëvizjen pa goma dimërore apo pa zinxhirë.
Ndërkohë zonat e ulëta janë përfshirë nga reshje shiu me intensitet të lartë dhe erë e fortë.
Si pasojë e motit të keq në disa fshatra ka ndërprerje të energjisë elektrike. Ekipet e OSHEE po punojnë për riparimin e defekteve, shkruan euronews.al.