Erërat e forta dhe shirat e dendur kanë goditur portin e Palma-s në ishullin Mallorca të Spanjës.
Si pasojë, atje janë rrëzuar pemë të shumta, duke shkaktuar përmbytje të shpejta, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ishujt Balearik, Katalonja dhe Valencia ishin në alarm portokalli dhe një rekord i ri i reshjeve u regjistrua në qytetin e Barcelonës.
Erërat e fuqishme dhe shiu i rrëmbyeshëm u panë gjithashtu në Italinë Veriore, fillimisht në Lombardi të shtunën, kur stuhitë e forta shkulën pemët dhe dëmtuan çatitë dhe më pas të dielën në Liguria.
Njerëzit në Genova të dielën në mëngjes “u kapën në befasi” nga reshjet e dendura dhe një alarm i lartë mbetet në fuqi për pjesën më të madhe të së hënës në Liguria.
Ndërkohë, zjarret kanë vazhduar të shpërthejnë në disa pjesë të Greqisë.
Një zjarr që shpërtheu në ishullin e Andros të shtunën, ndoshta i shkaktuar nga rrufeja, ishte vënë nën kontroll të dielën pasi zjarrfikësit qëndruan në pikat kryesore si masë paraprake për shkak të erërave të forta që frynin në zonë.
Me një verë të nxehtë dhe të thatë, vendet e Evropës Jugore janë veçanërisht të prirura ndaj zjarreve, megjithatë zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë fajësuar ndryshimet klimatike për frekuencën dhe intensitetin në rritje të zjarreve të tilla, duke vënë në dukje se viti 2022 ishte viti i dytë më i keq për dëmet nga zjarret e egra – një rekord pas vitit 2017. /Telegrafi/