Një ekip e studiuesve besojnë se kanë zbuluar origjinën e Vdekjes së Zezë, 600 vite pasi shkaktoi vdekjen e dhjetëra miliona njerëzve në Evropë, Azi dhe Afrikën Veriore. Katastrofa shëndetësore e mes-shekullit të 14-të është një nga “episodet” më të rëndësishme të sëmundjes në historinë e njerëzimit.
Por edhe pas shumë viteve të studimeve, shkencëtarët nuk kanë mundur të gjejnë vendin se ku filloi murtaja. Por sipas disa analizave të fundit, sugjerohet se murtaja kishte filluar në Azinë qendrore, më saktë në Kirgistan rreth viteve 1330, transmeton Telegrafi.
Një ekip studiuesish nga Universiteti i Stirling nga Skocia, Instituti Max Planck dhe Universiteti i Tubingen nga Gjermania, analizuan mostrat e ADN-së nga dhëmbët e eshtrave të gjetura në varrezat afër liqenit Issyk Kul në Kirgistan.
Ata zgjodhën pikërisht këtë zonë pasi kishin vërejtur se kishte pasur një ngritje të varrimeve gjatë viteve 1338 dhe 1339.
Dr. Maria Spyrou, studiuese në Universitetin e Tubingen, tha se ekipi kishte marrë ADN-në nga eshtrat e shtatë trupave.
Dr. Spyrou tha se ata i analizuan dhëmbët për shkak se përmbajnë shumë enë gjaku, dhe kjo u jap studiuesve shanse më të mëdha për të detektuar patogjenin e virusit që përhapej nga gjaku, patogjen i cili shkaktoi vdekjen e këtyre njerëzve. Studiuesit arritën të gjenin bakterin e murtajës “Yersinia Pestis” tek tre nga shtatë trupat. /Telegrafi/