Ekspertët thonë se në gjithë botën llogaritet të jenë rreth 100 milionë njerëz, zemrat e të cilëve nuk arrijnë të ushqejnë me gjak trupin e tyre. Shumë pacientë me sëmundje zemre që kanë nevojë për një transplanto, do të vdesin në pritje të një organi që do t’i shpëtonte jetën. Por studiuesit thonë se, nëse zemra e njeriut mund të krijohet nga organe kafshësh, ata mund të shpëtojnë jetë njerëzish.
Në eksperimentet e tyre, studiuesit hoqën zemrat e minjve të sapolindur të laboratorit dhe ia hoqën qelizat.
Studiuesja kryesore, Doris Taylor, që drejton Qendrën e Universitetit të Minesotës për Riparimin Kardiovaskular, thotë se shkencëtarëve u mbeti në dorë një masë e bardhë proteinash në formë zemre që përmbante tuba aty ku kishte pasur enë gjaku.
Dr. Taylor thotë se këto skelete zemrash, u mbushën përmes injektimit të disa qelizave që kanë aftësinë e ripërtëritjes dhe transformim, pak a shumë si qelizat embrionale.
Brenda pak ditësh, thotë doktoresha Taylor, zemrat e minjve filluan të krijojnë qeliza nga jashtë.
“Është shumë interesante që me kalimin e kohës zemra i zë vendin lëndës fillestare dhe në thelb është sikur qelizat thonë që kanë vetëm nevojë për diçka ku të kapen e pastaj vazhdojnë të shtohen. Kështu me kalimin e kohës, qelizat njerëzore zëvendësojnë atë masë dhe krijohet një ekuivalent i zemrës së njeriut”.
Qelizat e reja iu injektuan lëndë ushqyese dhe ndaj tyre u përdor një stimulues kardiak. Pas katër ditësh, studiuesit vunë re disa tkurrje në zemrat e minjve.
Taylor thotë se pas tetë ditësh, organet eksperimentale filluan të qarkullonin lëng lehtë.
“Ne ishim në gjendje të demonstronim se nga një zemër e vdekur së cilës ia hoqëm të gjitha qelizat dhe i dhamë jetë të re me qeliza të reja. Kështu për herë të parë kemi diçka të ngjashme me zemrën që ka anatominë e një zemre dhe mund të fillojmë të rindërtojmë inde të tëra në vend të një cope indi në një enë laboratorike”.
Nëse kjo metodë perfeksionohet në zemra më të mëdha do të mund të përftoheshin rezerva të pakufizuara organesh të nevojshme dhe studiuesit thonë se përdorimi i qelizave bazë të vetë pacientit do të sillte si rezultat që një zemër bio-artificiale t’i përshtatej sistemit imunitar të tij.
Hapi i ardhshëm ishte përdorimi i kësaj procedure në një zemër derri për të parë nëse do të funksionojë në një zemër më të madhe.
Taylor thotë se zemrat bio-artificiale për njerëzit mund të përftohen nga organet e derrit sepse kanë pothuajse të njëjtën masë. Valvulat e derrave përdoren për zëvendësimin e valvulave të dala jashtë përdorimit tek njerëzit.
“Ne shpresojmë që të kemi krijuar një instrumentin që do të ndryshojë mënyrën e të menduarit të njerëzve dhe do të krijojë një shans për alternativa të reja për përpunimin e indeve dhe për pacientët që kanë nevojë për organe”.
Studiuesit në Minesota po punojnë me shkencëtarët në vende të tjera në përpjekje për të krijuar organe të tjera bio-artificiale, përfshirë mushkëri, mëlçi, pankreasin dhe veshkat. /VoA/