Site icon Telegrafi

Studiuesit kapin pamjet e peshqve të rrallë me kokë transparente

Studiuesit nga Instituti i Kërkimeve të Akuariumit të Monterey Bay (MBARI) kanë arritur të kapin pamjet e një peshku të rrallë me kokë transparente.

Pamja e pazakontë e peshkut u bë nga akuaristi Tommy Knowles dhe ekipi i tij ndërsa ishin në bordin e anijes kërkimore Rachel Carlson, ku ata kishin dalë për ekspozitën e ardhshme “Into the Deep” të akuariumit në Kaliforni.

Thuhet se ekipi është ndalur për t’u ‘mrekulluar’ me pamjen e peshkut, me institutin kërkimor që vë në dukje se pavarësisht se ka regjistruar më shumë se 5600 zhytje me automjetet e tij të operuara nga distanca, ai e ka takuar këtë peshk të veçantë vetëm nëntë herë.

Sipas MBARI, i cili ndodhet në Kaliforni, peshku jeton në ‘zonën e muzgut’ të oqeanit në thellësi 600 deri në 800 metra. Megjithëse pjesa më e madhe e trupit të tij është e errët, siç mund ta prisni, koka e tij është tërësisht transparente, duke na lejuar të shohim deri në pjesët e trupit poshtë.

Dy pika në pjesën e përparme të fytyrës së peshkut mund të ngatërrohen me sy, raporton EarthSky, por këto janë në fakt organet e tij të nuhatjes. Sytë e tij ndodhen menjëherë pas këtyre njollave dhe duken si rruaza jeshile me ngjyra të ndezura, të cilat shikojnë lart në mënyrë që të lejojnë peshkun të dallojë prenë.

Peshku mund të rritet deri në 15 cm në madhësi dhe të jetojë në habitate që variojnë nga Deti Bering në Baja California në Japoni. /Telegrafi/

Exit mobile version