Pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e shpalli Aspartamin si “shkaktues potencial kanceroz për njerëzit”, tani një tjetër ëmbëlsues artificial është nën mbikëqyrje pasi mund të shkaktojë dëme në ADN-n e njeriut dhe në zorrë.
Një studim i fundit ka zbuluar se një ëmbëlsues që konsumohet zakonisht, sukraloza, mund të prodhojë një kimikat gjatë tretjes që është gjenotoksik, që do të thotë se mund të dëmtojë ADN-n, transmeton Telegrafi.
Kimikati, i njohur si “sukralozë-6-acetat”, është i pranishëm në sasi të vogla në vetë ëmbëlsuesin. Studimi është kryer nga një ekip në Universitetin Shtetëror të Karolinës së Veriut.
“Ne zbuluam se ‘sukraloza-6-acetati’ është gjenotoksik dhe se në mënyrë efektive shkatërroi ADN-në në qelizat që ishin të ekspozuara ndaj kimikatit”, thotë Susan Schiffman, autorja përkatëse e studimit.
Hulumtimet e mëparshme nga i njëjti ekip kishin identifikuar tashmë disa përbërës të tretshëm në yndyrë të prodhuara në zorrë pas konsumimit të sukralozës.
“Kur ekspozuam sukralozën dhe sukralozë-6-acetatin tek indet epiteliale të zorrëve – indi që rreshton muret e zorrëve – ne zbuluam se të dy kimikatet shkaktojnë ‘zorrë që rrjedh’. Në thelb, ato e bëjnë murin e zorrëve më të depërtueshëm”.
“Zorra që rrjedh” i referohet rritjes së përshkueshmërisë së zorrëve, duke lejuar potencialisht substancat të hyjnë në qarkullimin e gjakut në vend që të eliminohen siç duhet. /Telegrafi/