Telegrafi

Studioja televizive shndërrohet në “ring boksi”, politikani pakistanez godet gazetarin gjatë transmetimit live (Video, +16)

Të ftuarit në një debat televiziv në Pakistan janë rrahur brutalisht në studio, derisa gjithçka po transmetohej live

Ngjarja e pakëndshme ka ndodhur më 24 korrik, kur debati televiziv që moderohej nga Aftab Mugheri dhe transmetohej live për pak sekonda u shndërrua në “ring boksi”, transmeton Telegrafi.

Në video shihen dy panelistët e identifikuar si Ali Siyal, politikan pakistanez dhe gazetari Imtiaz Khan që po qëndronin ulur pranë njëri-tjetrit dhe po debatonin, kur në një moment eskaloi situata dhe u ngritën në këmbë për të qëruar hesapet me grushte.

Gjithqka fillon kur Siyal dëgjohet duke paralajmëruar Khanin për tonin e lartë të zërit, por përgjigja e tij ishte e menjëhershme duke ia bërë me dije se nuk do të toleroj sjelljet e tij të pahijshme.

Megjithatë nuk kaluan shumë sekonda dhe dyshja u ngritën në këmbë dhe Siyal që ishte në anën e djathtë të ekranit të televizorit, e godet me grusht gazetarin i cili rrëzohet në tokë.

Por këtu nuk përfundon kaosi, Khan ngritet në këmbë dhe i kundërpërgjigjet Siyalit duke ia kthyer me grushte. E duke parë se eskaloi situata, punonjësit e televizionit u detyruan të ndërhyjnë për ta qetësuar situatën. /Telegrafi/