Më se 200 çifte të porsamartuar, e kanë akuzuar një studio në County Durham të Anglisë, për imazhe të dobëta dhe mungesën e fotografive në momentet kryesore të dasmës.
Darren dhe Adele McDonagh janë pronarët e Treasured Moments Photography, që akuzohen se kanë arritur me vonesë në shumicën e ceremonive martesore, ndërsa kryen fotografi të turbullta, ku nuk vërehet asgjë, transmeton Telegrafi.
Byroja që merret me mashtrime dhe mos kryerjen e duhur të marrëveshjeve, ka gjetur se kjo studio ka përfituar më se 100 mijë funte, derisa rezultatet e punëve të tyre nuk janë aspak të dëshirueshme.
“Jemi detyruar të mbledhim selfie dhe imazhe të shkrepura prej mysafirëve, që të kemi kujtime nga dasma jonë” ka thënë një nga palët akuzuese.
Disa prej fotografive që janë pranuar prej çifteve, duket sikur janë bërë pa dashje dhe jo prej një profesionisti që do duhej të kapte kuadrin më të mirë.
Tashmë kanë nisur hetimet e hollësishme për studion, që ka marrë paratë para se të shkonte nëpër ceremoni, pa përmbushur as obligimet themelore. /Telegrafi/