Telegrafi

Studimi psikologjik i autoportretit fotografik: Artistët e famshëm, “selfie” me ndihmën e Gjon Milit

Fotografi shqiptaro-amerikan, Gjon Mili, të cilin (shkaku i karakterit të tij të veçantë dhe risive në të shprehurit në artin e tij fotografik) amerikanët dhe evropianet e quajtën “gjeniu shqiptar” apo “shqiptari i çmendur”, jo rrallë revistës “Life” – për të cilën punoi deri pak vite para se të vdiste – i ofronte fotoreportazhe dhe projekte interesante që kishin të bënin me studimin e lëvizjeve dhe sjelljeve njerëzore.

Në vitin 1944, Mili fton në studion e tij gjigante nëntë personalitete të kinematografisë, për këtë qëllim: që secili prej tyre të përjetojë ndjesinë e të bërit autoportret fotografik. Qëndrimi apo “poza” e tyre para aparatit fotografik, derisa secili veç e veç po përdorte mekanizmin për shkrepje nga distanca, tregon vështirësinë e të qëndruarit natyrshëm gjatë procesit të realizimit të autoportreteve. Pjesë e këtij projekti interesant ishin aktoret Geraldine Fitzgerald, Joyce Reynolds, Laraine Day; aktorët Van Johnson, John Garfield, Robert Alda, S.Z. Sakall; këngëtari dhe aktori Lauritz Melchior, regjisori Michael Curtiz (regjisori i filmit antologjik “Casablanca” të vitit 1942) dhe mjeshtri i grimit e maskave, Perc Westmore.

Në shkrimin e saj me titull “This Is What Selfies Looked Like in the 1940’s” (Kështu dukeshin ‘selfiet’ në vitet ’40), të botuar më 13 korrik 2015, gazetarja e kulturës e revistës “Time”, Eliza Berman, për këtë projekt fotografik të Gjon Milit ka shkruar: “Kur Gjon Mili më 1944 fton të famshmit në studion e tij për një sesion autoportretesh, fjala ‘selfie’ ishte 70 vjet larg nga përfshirja në Fjalorin e Oksfordit të Gjuhës Angleze. ‘Fytyrë-pata’ (trendi i sotëm i femrave për të fryrë dhe potencuar buzët kur bëjnë ‘selfie’ – v.j.) atëherë s’ishte gjë tjetër pos turiri i një kafshe që gagarit e babai i Kim Kardashianit ishte foshnje e porsalindur – 36 vjet para se të bëhej baba i mbretëreshës së ardhshme të ‘selfie’-ve”.

Autoportreti fotografik daton që nga viti 1839, kur Robert Cornelius po bënte grimasa para aparatit të tij fotografik, prapa dyqanit të familjes në Filadelfia të SHBA-së. Pra, kur Van Johnson dhe aktorja Geraldine Fitzgerald fotografuan veten me ndihmën e Milit, ata nuk ishin pionierë të autoportretit fotografik, por pjesëmarrës në evolucionin e një forme arti. “Pozat” e tyre nuk janë shumë të ndryshme nga “selfie”-t e kohës së sotme: Fitzgerald jep një buzëqeshje të kontrolluar dhe Johnson një shprehje të një fëmije të pafajshëm; aktori S.Z. Sakall “përqafon” veten, ndërsa këngëtarja Lauritz Melchior shtiret si e befasuar.

“Fotografitë e tyre bëjnë të qartë se edhe pse në mënyrë marramendëse ka përparuar teknologjia që përdorim për t’i realizuar autoportretet fotografike, ekspresioni njerëzor – harroje atë të ‘fytyrë-patës’ – ka ndryshuar fare pak gjatë kësaj kohe”, shton Berman. /Telegrafi/

Fotografi Gjon Mili këshillon aktoren Geraldine Fitzgerald si ta fotografojë veten
Aktorja Geraldine Fitzgerald
Regjisori Michael Curtiz
Aktorja Larraine Day
Aktorja Joyce Reynolds
Mjeshtri i grimit, Perc Westmore
Këngëtari dhe aktori Lauritz Melchior
Aktori S.Z. Sakall
Aktori Robert Alda
Aktori Van Johnson