Telegrafi

Studimi i “Economist”: Trump president, rrezik global

Nëse Donald Trump fiton presidencën amerikane, ky do të jetë një nga 10 rreziqet kryesore me të cilat do të përballet bota.

Kështu shkruhet në një studim të Njësisë së Inteligjencës që është një organ i prestigjozes “The Economist”.

Sipas kësaj kompanie që merret me studime, Trump mund të trazojë ekonominë globale dhe të shtojë rreziqet politike e të sigurisë në SHBA.

Megjithatë, studimi thotë se ka pak mundësi që ai të mposhtë Hillary Clintonin në zgjedhje, e cila nga studimi konsiderohet tashmë si kandidatja zyrtare demokrate për presidencën.

Në listën e përpiluar nga Njësia e Inteligjencës, zgjedhja e Trumpit president përbën një rrezik të barabartë me largimin e Britanisë së Madhe nga BE-ja apo një përplasje të armatosur në detin e Kinës jugore.

Ndërkohë, rreziqe më të mëdha janë ngadalësimi i fortë ekonomik i Kinës dhe ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë dhe Siri, që i hapin rrugën një lufte të re të ftohtë.

“Trump ka dhënë shumë pak detaje për politikat e tij dhe këto i ndryshon vazhdimisht. Ai ka qenë shumë armiqësor ndaj tregtisë së lirë, sidomos paktit NAFTA dhe e ka cilësuar vazhdimisht Kinën si një manipuluese të valutës”, shkruhet në studimin e vlerësimit të rrezikut global, ku Trumpi president barazohet gjithashtu me rrezikun në rritje të terrorizmit ndaj ekonomisë globale.

Njësia e Inteligjencës e “The Economist” i vlerëson rreziqet në një shkallë nga 1 në 25 dhe Trump është në nivelin 12”, shkruan “The Economist”. /TCH/