Sipas dy studimeve të reja, vaksinat kundër COVID-19 ofrojnë mbrojtje të konsiderueshme shtesë për njerëzit që tashmë janë infektuar.
Ilaçet kanë rezultuar shumë efektive në mbrojtjen e atyre që nuk kanë pasur kurrë COVID-19, por efektiviteti i tyre në parandalimin e simptomave dhe rezultateve të rënda te njerëzit që kanë qenë të infektuar më parë, deri vonë ka qenë më pak i qartë.
Tani dy pjesë të veçanta të hulumtimit, të publikuara në revistën Lancet Infectious Diseases, konfirmojnë se vaksinat anti-COVID ofrojnë mbrojtje shtesë për njerëzit që tashmë janë infektuar me Sars-CoV-2 – veçanërisht kundër sëmundjeve të rënda.
Në studimin e parë, të kryer në Brazil, studiuesit zbuluan se katër vaksina – CoronaVac, Oxford/AstraZeneca, Janssen dhe Pfizer/BioNTech – ofrojnë mbrojtje shtesë kundër ri-infeksionit simptomatik dhe rezultateve të rënda si shtrimi në spital dhe vdekja tek njerëzit që ishin infektuar më parë me coronavirus, shkruan KosovaPress..
Studimi i dytë, nga Suedia, zbuloi se vaksinimi kundër COVID-19 ofronte mbrojtje shtesë për ata që kishin pasur COVID-19 më parë, për të paktën nëntë muaj.
Së bashku, studimet ofrojnë të dhëna thelbësore për efektivitetin e vaksinës te njerëzit me një infeksion të mëparshëm dhe nënvizojnë përfitimet e vaksinimit, pavarësisht nëse dikush ka pasur coronavirusin. Ekspertët thonë se gjetjet mund të ndihmojnë gjithashtu në informimin e strategjive globale të vaksinave.
Në studimin e parë, i cili përfshiu më shumë se 22 mijë njerëz me COVID-19, të dhënat treguan se vaksinimi ul rrezikun e simptomave, shtrimin në spital ose vdekjen.
Studimi i dytë, që përfshin pothuajse 3 milionë njerëz, zbuloi se një dozë vaksine në dikë me imunitet të drejtuar nga infeksioni nga një infeksion i mëparshëm uli rrezikun e ri-infeksionit me 58 për qind dy muaj pas administrimit. Dy doza të vaksinës ulën rrezikun e infektimit me 66 për qind.
Autorët pranuan kufizimet me të dy studimet, duke përfshirë rrezikun e paragjykimit për shkak të natyrës vëzhguese të hulumtimit. Për më tepër, asnjë studim nuk përfshinte një analizë të ri-infeksionit nga variantet Omicron.