Një studim shqetësues pohon se punëtorët që prodhojnë këpucë të brendeve të mëdhaja të Britanisë së madhe ballafaqohen me rroga të ulëta dhe kushte të këqia pune, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Gazeta britanike ”the Guardian” publikon pohimet e aktivistëve të thonë se miliona blerës ndikohen të besojnë se këpucët e shtrenjta që i blejnë në dyqanet e shtrenjta, janë të prodhuara në Gjermani dhe Itali, ndërkaq shumë nga këto këpucë prodhohen nga punëtorë me rroga të ulëta në në fabrika të Evropës lindore, ku punëtorët paguhen lirë dhe punojnë në kushte të këqia.
Shkrimi i kësaj gazete bazohet në hulumtimin e bërë në industrinë e këpucëve në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Maqedoni, Poloni, Rumani dhe Sllovaki.
Sipas këtij raporti, punëtorët në Maqedoni, ku një orë punë paguhet më pak se 1 funtë britanike, dërgohen në spital me karroca, pasi që meken në ambientin e ftohtë të punës në fabrika, ku duhej të punonin me kimikate të forta.
Raporti pohon se një fabrikë në Maqedoni ku prodhohen Geox këpucë, i kishte paguar ilegalisht punëtorët me një rrogë prej 131 euro në muaj, përfshrë orët shtesë, përderisa minimumi legal është 145 euro, pa orë shtesë. Kompania Geox nuk ka dhënë ndonjë koment për këtë çështje.
Fabrikat në Maqedoni furnizojnë me këpucë firmat Geox, Deichmann dhe Bata, kurse punëtorët kanë deklaruar se ishte e pritshme që do të përdoreshin kimikate të forta, duke u ankuar për reumatizëm, dhimbje shpine, alergji dhe probleme në frymëmarrje. Gjithashtu, punëtorët kanë deklaruar se shpesh lëkura e tyre është ekspozuar në kemikate të dëmshme, pasi që mbajtja e dorezave ka ndikuar në uljen e prodhimit dhe në rroga më të ulëta.
Për këto pohime të punëtorëve, firma Deichmann ka deklaruar se nuk ka patur dijeni për këto çështje me fabrikën, por ka inicuar një hetim dhe do të merr çdo masë të nevojshme.
Anna McMullen nga ”Labour Behind the Label” deklaron se ”në fakt, ne e dijmë se punëtorët në Shqipëri dhe Maqedoni janë paguar aq pak sa që nuk mund të ushqejnë familjet e tyre – aq shumë sa që dallimi në mes të rrogës minimale dhe asaj për jetesë është më i madh se sa në Kinë. Këto metoda të posaçme të përdorura nga disa brende janë duke fituar në kurriz të varfërisë së punëtorëve.”
Përndryshe, raporti është përgatitur nga një grup hulumtuesish nga disa grupe të drejtash evropiane, kurse janë përfshirë 179 intervista në 12 fabrika. Raportin e plotë e gjeni këtu./Telegrafi/