Site icon Telegrafi

Studim: Përse disa njerëz plaken dhe vdesin më herët se të tjerët?

Disa persona plaken më shpejt sesa të tjerët, e disa tjerë edhe mund të vdesin më herët pavarësisht se kanë bërë një stil të shëndetshëm të jetesës.

Ekipi ndërkombëtar i shkencëtarëve ka analizuar ADN-në në mostrat e gjakut të më shumë se 13,000 njerëzve në SHBA dhe Evropë dhe kanë përdorur një “orë epigjenetike” për të parashikuar jetëgjatësinë e tyre, transmeton Telegrafi.

Ora kalkulon plakjen e gjakut dhe indeve tjera duke i gjurmuar një sërë procesesh natyrale të cilat me kohën e ndryshojnë ADN-në, shpjegojnë shkencëtarët.

“Ne kemi zbuluar se 5 për qind e popullsisë plaken në një ritëm më të shpejt biologjik, gjë që rezulton në jetëgjatësi më të shkurtër”, ka thënë Steve Horvath, profesor i gjenetikës njerëzore dhe biostatistikës në Universitetin e Kalifornisë.

“Plakja e shpejt e rritë rrezikun e vdekjes tek të rritur për 50 për qind, pavarësisht moshës. Dhe, përderisa një stil i shëndetshëm i jetës mund të ndihmojë në zgjatjen e jetëgjatësisë, procesi i brendshëm i plakjes i parandalon njerëzit ta ‘mashtrojnë’ vdekjen përgjithmonë”, thotë ai.

Zbulimet preliminare mund të ndihmojnë në shpjegimin e asaj se përse disa vdesin më të rinj, pavarësisht se janë ushqyer shëndetshëm, kanë bërë ushtrime të rregullta fizike dhe nuk kanë konsumuar alkool apo duhan.

Vlen të ceket se studimi është publikuar me 28 shtator në revistën Aging. /Telegrafi/

Exit mobile version