Site icon Telegrafi

Studenti dhe babai

Ditë dimri, koha ishte e ftohtë dhe në kafiteri bënte shumë zhurmë. Kjo zhurmë kryesisht vinte nga bisedat e njerëzve nëpër tavolina, por edhe nga muzika në sfond e cila tashmë kumbonte vetëm si zhurmë dhe nuk mund të dallohej dot as gjuha me të cilën këndohej. Për çudi, pikërisht në këtë zhurmë studenti kishte vendosur të pinte një kafe i vetëm në tavolinë dhe të gjente sadopak qetësi shpirtërore pas dështimit në provim.

Megjithatë jeta studentore kështu e ka. Ndonjëherë ndodh të biesh nga provimi, e kjo konsiderohet normale. Tek ai kjo paraqiste shumë problem, ngase kohëve të fundit po përjetonte “krizën studentore” dhe dukuria e dështimeve në provime sa vinte e bëhej më evidente. Nën këto rrethana, kishte vendosur të shkonte në vendlindjen e tij, të paktën të mbushej me energjinë e vendit dhe të marrë përkrahje shpirtërore nga prindërit.

Është për t’u habitur fakti se studenti nuk ka qenë ithtar i madh të jetë student në Prishtinë, pasi që gjatë shkollës fillore dhe asaj të mesme nuk ishte shquar për suksese të shkëlqyera në mësime. Për çudi, gjithmonë e ka menduar veten se mund të jetë një agronom shumë i suksesshëm, përderisa kultivimi i kulturave bujqësore në vendlindjen e tij ka qenë elementi kryesor i mbijetesës ndër shekuj.

Pikërisht tek po rrinte i ulur në autobus, pranë dritares dhe me shikimin e përhumbur në fushat e mbushura me dëborë, po mendonte me veten. athua pse insistoi aq shumë babai që unë të jem student në Prishtinë. I turbullt në këto mendime dhe i zhgënjyer që nuk po tregonte suksese në provime, vendosi që në momentin e parë kur të takohet me babanë ta pyeste se cila ishte arsyeja e vërtetë që ai insistoi që ai të bëhet student.

Pasi zbriti nga autobusi dhe kur mori kthesën e fundit e cila qonte tek shtëpia, një fllad i lehtë i përqafoi fytyrën, e tha me vete: “Sa i qetë ndihem në fshatin tim. Po çfarë kërkoj unë në Prishtinë? Nuk i përkas atij vendi, këtu kam rrënjët e mia dhe këtu mendoj se do isha në gjendje të jem një punëtor i zellshëm e të sigurojë një mirëqenie ekonomike normale për veten dhe familjen time”?

Si gjithmonë, takimi me babanë është i veçantë. Ai tashmë ka hyrë në moshën e pleqërisë, rrudhat në ballin e tij sikur ia përshkruajnë vuajtjet që kishte përjetuar gjatë gjithë kësaj kohe që punonte fushën në mënyrë që të siguronte bukën e gojës dhe kushte normale për familjen e tij. Për më tepër, para dy vitesh ai ishte zotuar që të punonte edhe më shumë, vetëm e vetëm që të siguronte para të mjaftueshme për të financuar studimet e të birit.

Pasi u çmall me familjen, aty pas darkës, për një moment ishin vetëm studenti dhe babai. Djali i tha: “Kam ardhur sot në fshat se nuk po ndihem mirë në Prishtinë, provimet nuk po mundem t’i kalojë ashtu siç kam menduar dhe ti e di mirë se unë nuk kam qenë nxënës i shkëlqyer në shkollë, por nuk kam arritur asnjëherë të kuptoj se çfarë të bëri ty të më bindësh që të shkoj në studime në Prishtinë”.

“Biri im”, ai tha, dhe mori një tym të thellë të duhanit. Si duket ky tym duhani e mbushi plot me mendime kokën e tij dhe sikur të tërin po priste ta shprehte para të birit. “ Unë e di mirë që ti je një djalë punëtor dhe po të mos ishe në Prishtinë do të kishe qenë një punëtor shumë i zellshëm këtu në fshat dhe do të arrije të kultivoje më shumë në fushë sesa kemi bërë gjer më tani. Por, që ta dish, nuk është e tëra tek paratë, e as tek ajo se sa mund të bësh gjatë punës në fushë. Ti duhet ta kuptosh se ne si popull shqiptar historikisht kemi qenë gjithmonë nën okupim dhe okupatorë të ndryshëm që ka njohur historia jonë, nuk na lejuan që ne të arsimohemi në gjuhën shqipe. Kur unë kam qenë në moshën tënde kam pasur ëndërr që të shkoj në Prishtinë si student. Por, kjo nuk ndodhi për shumë arsye, ngase okupatori i mbylli shkollat shqipe. Tani që ne gëzojmë këtë liri, me të gjitha mundësitë e bukura që të lëvizim lirshëm pa pasur frikë se gjatë rrugës për në Prishtinë mund të ndalohemi në ndonjë postbllok, duhet të bëjmë çmos që të shkollohemi sa më shumë që të jetë e mundshme. Si popull, ne gjithmonë jemi karakterizuar si njerëz të pashkolluar, saqë armiqtë tanë na quanin njerëz me bisht, me tjera fjalë na trajtonin si kafshë. Dhe unë, në këto ditë të pleqërisë që jam, do të bëj çmos që të punoj sa më shumë që të jetë e mundur që ty ta mundësoj shkollimin në Prishtinë”.

“Duhet ta dish”, tha ai, “se të jesh njëri i shkolluar, e ke obligim ndaj atdheut tënd dhe jo vetëm për veten e familjen tënde”.

Gjatë gjithë kësaj kohe studenti ishte i mbushur me emocion dhe nuk tha asnjë fjalë të vetme, por ishte pikërisht ajo ditë e cila e bëri të ndryshojë mendjen në lidhje me mossuksesin në studime. E kuptoi se duhet të mësojë edhe më shumë në mënyrë që të arrinte të gëzonte babanë dhe mbi të gjitha t’i kontribuonte vendit. Falë atyre fjalëve të babait, që nga ajo ditë ai është zgjuar çdo ditë herët në mëngjes dhe kishte mësuar disa herë më shumë se më parë dhe falë asaj dite ai sot është në përfundim të studimeve dhe mezi pres të shoh gëzimin në fytyrën e babait kur ai të shkojë si i diplomuar në fshat.

Exit mobile version