Studentët që jetojnë në konvikte në Prishtinë si dhe që ushqehen në mensë nuk janë shumë të kënaqur me shërbimet që iu ofrohen.
Kjo bazuar në rezultatet e një hulumtimi të realizuar nga Parlamenti Studentor në të cilën ka përfshirë rreth 500 djem dhe vajza që jetojnë në konvikte dhe ushqehen në mensë.
Studentët që jetojnë në 8 konviktet janë ankuar për dhoma të vogla, shtretër të dëmtuar, mungesë të dollapëve dhe të frigoriferëve.
Denis Krasniqi, pjesë e Parlamentit Studentor, duke prezantuar rezultatet tha se të anketuarit kanë deklaruar probleme edhe me mykin, insektet dhe erën e keqe në dhomat ku jetojnë.
“19.87% janë përgjigjur se kanë hasur në insekte,17.84% janë përgjigjur se kanë hasur në myk, nxehtësi joadekuate kanë deklaruar 43.81% që është tejet shqetësuese për neve si studentë, rrjedhje të ujit kanë hasur vetëm 7.7% dhe erë të keqe që është dhe kjo shqetësuese kanë hasur 43.61%, kurse nga asnjëra prej këtyre janë përgjigjur 25% e të anketuarve… 58.1% janë përgjigjur se hasin në banjo të papastra, 66.73% kanë thënë që mungesa e ujit të nxehtë është problem tjerët i madh për studentët që ballafaqohen vazhdimit. Sjellja e pahijshme e stafit kanë deklaruar 20.89% e studentëve, pra që stafi ka sjellje të pahijshme ndaj tyre dhe asnjëra prej këtyre janë përgjigjur 12.77%”, tha Krasniqi.
Studentët janë shprehur se ajo çfarë i mungon më së shumti jetesës në konvikte janë programet artistike dhe kulturore, hapësira për zhvillimin e sportit dhe siguria.
Në nivel të përgjithshëm, bazuar në të dhënat e paraqitura në lidhje me kënaqshmërinë e studentëve me jetën në konvikte tregojnë një situatë jo shumë të mirë.
Alban Halimi, gjithashtu nga Parlamenti Studentor, u shpreh se nga ky raportim del se Qendra e Studentëve në Prishtinë ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme për të eliminuar këto pakënaqësi të studentëve.
“Kënaqësia e studentëve me jetesën në konvikte, 11.5% e studentëve shprehen se janë të kënaqur me jetë në konvikte, që tregon një nivel shumë të ulët të kënaqshmërisë së përgjithshme të studentëve, ndërsa një përqindje mesatare 51.6% e studentëve janë mesatarisht të kënaqur por edhe ata kanë shqetësime të ndryshme të cilat i kemi paraqitur në këtë raportim. Ndërsa të pakënaqësitë e studentëve, 27.68% e studentëve shprehin pakënaqësi në lidhej me kushtet dhe shërbimet ne konvikte, 9.09% e studentëve janë shumë të pakënaqur dhe shprehin një shqetësim të thellë”, deklaroi Halimi.
Numri më i madh i të anketuarve janë shprehur edhe “mesatarisht të kënaqur” edhe me cilësinë e ushqimit në mensë.
“Mesatarisht të sigurt” janë përgjigjur në masë të madhe kur janë pyetur edhe sa ndihen të sigurtë të konsumojnë ushqim në mensë bazuar në eksperiencat personale.
Shqetësime janë shprehur edhe me ushqime me afat të skaduar, të ftohta, radhë të gjata të pritjes e të tjera.
“Kemi rezultuar se 73.63% janë deklaruar me radhë të gjata të pritjes, gjithashtu 61.46% janë deklaruar që ka ushqim të ftohtë, 31.64% janë deklaruar me enë të papastra, 18.25% janë deklaruar ushqim me afat të skaduar, 17.03% sasi e pamjaftueshme e ushqimit për studentët”, tha Halimi.
Halimi tha se ka ankesa edhe për ushqime të njëjta, jo të freskëta dhe me vlera të dobëta ushqyese.
Edhe këtu, konkluzionet e këtij hulumtimi në lidhje me kënaqësinë e studentëve në lidhje me cilësinë e ushqyerjes në mensë tregojnë një situatë jo të mirë dhe shprehin shqetësime.
“Kur jemi të konkluzionet në raport me kënaqëshmërinë e studentëve gjatë ushqyerjes në mensë, mund të themi që kënaqësia e përgjithshme e ushqyerjes në mensë vetëm 4.12% e studentëve shprehen se janë të kënaqur me cilësinë e ushqyerjes në mensë që tregon një nivel shumë të ulët të kënaqësisë së përgjithshme të studentëve ndërkaq një përqindje mesatare 42.68% e studentëve janë mesatarisht të kënaqur me cilësinë e ushqyerjes por edhe ata kanë shqetësime të ndryshme të cilat i kemi cekur në këtë raport. Kur jemi te pakënaqësia e studentëve, 33.4% e studentëve shprehen pakënaqësi në lidhje me cilësinë e ushqyerjes në mense dhe 19.79% e studentëve janë shumë të pakënaqur dhe shprehin një shqetësim të thellë për cilësinë e dobët të ushqimeve në mensë”, tha Halimi.
Sipas Parlamentit Studentor të gjitha përfundimet bashkë me sugjerimet e tyre për të ndërmarrë masa të menjëhershme do t’i dërgohen të gjitha institucioneve relevante.