Telegrafi

Studentët sot marshojnë kundër Asociacionit: Pavarësisht bindjeve politike të gjithë duhet t’i themi jo

Parlamenti i Studentëve të Universitetit të Prishtinës sot organizon marsh kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Marshi do të nisë nga ambientet e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në ora 16:00, ndërsa theksojnë se marshin do të jetë gjithëpopullor kundër themelimit të Asociacionit.

“Parlamenti Studentor përmes email-it ka ftuar menaxhmentin e Universitetit të Prishtinës, Senatin e Universitetit, parlamentet studentore të universiteteve publike, organizatat studentore, Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, partitë politike përfshirë edhe ato të komuniteteve joshumicë, komunat e Kosovës, organizatat e shoqërisë civile dhe grupet joformale për t’ju bashkuar marshit kundër asociacionit të komunave me shumicë serbe që do të organizohet më 15 shkurt, me fillim nga ora 16:00, para Bibliotekës Kombëtare.

Asociacioni një etnik është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, prandaj pavarësisht bindjeve politike të gjithë duhet të jemi bashkë kundër tij”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, sot shënohet 53-vjetori i themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. /Telegrafi/