Shoqata e Studentëve Shqiptarë “Societas Albania” në Vjenë, përmes një letre publike kanë falënderuar ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, për përkrahjen financiare drejtuar studentëve nga Republika e Kosovës që vijojnë rrugën e tyre akademike jashtë vendit.
Në letrën drejtuar ministres, shoqata e studenteve ka kërkuar nga MASHTI që kjo përkrahje të jetë vetëm pikënisje e bashkëpunimit me studentët jashtë vendit.
Shoqata ka thënë se komuniteti i studentëve shqiptarë në Vjenë dhe Austri si njëri ndër grupimet më të mëdha të studentëve shqiptarë në botë duhet të trajtohet me një kuotë të caktuar bursash dhe mbështetjeje financiare.
Ata thonë se institucionet përkatëse, e në veçanti MASHTI, duhet ta bëjë të pamundurën që këtë komunitet ta mbajë të lidhur me vendlindjen, qoftë nëpërmjet iniciativave kulturore e shkencore, por edhe përmes komunikimit të vazhdueshëm zyrtar.
Për këto të fundit, shoqata “Societas Albania” shprehet e gatshme të ndihmojë me të gjitha kapacitetet, qoftë duke ofruar ide bashkëpunimi, por edhe ndihmë me burimet modeste njerëzore.
“Societas Albania”, theksojnë se shpallja zyrtare e këtij granti ka një domethënie të veçantë për ne si komunitet, meqenëse thonë se shënon fillimin e një bashkëpunimi institucional të munguar gjatë dekadave të fundit.
“Austria, e sidomos Vjena si metropol kyç i Evropës qendrore, ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga destinacionet më të dashura për studentët shqiptarë. Pozicioni gjeografik, por edhe qasja mikpritëse e shtetit austriak kanë bërë që numri i studentëve shqiptarë të rritet vit-pas-viti. Në vrojtimet e viteve të fundit që kemi bërë përmes entit statistikor rezulton që rreth 200 studentë të ri shqiptarë (gjysma e tyre nga Kosova) kanë marrë rrugën çdo vit për të vijuar studimet në universitetet e Vjenës”.
“Këto shifra na kanë shtyrë që në verën e vitit të kaluar ta riaktivizojmë shoqatën studentore mbarëshqiptare “Societas Albania”, shoqatë kjo që ishte themeluar në 1995, kur Kosova po përjetonte periudhën e saj më të vështirë. Pavarësisht pandemisë, ne arritëm që t’i afrojmë studentët shqiptarë me njëri-tjetrin duke organizuar aktivitete të ndryshme në prezencë e online, por edhe duke mbajtur kontakte me përfaqësitë tona diplomatike”, thuhet në letër.
Sipas tyre, përpos ndjekjes së studimeve, studentët nga Kosova, zakonisht duhet edhe të punojnë punë të ndryshme që t’i financojnë studimet, gjë e cila shtyn shpesh në zgjatje të studimeve e në disa raste edhe në braktisje totale të tyre.
Tutje thonë se studentët nga Kosova sfidohen ekonomikisht që nga fillimi i procesit të aplikimit, pasi duhet të ballafaqohen me certifikimin, gjë që kushton konsiderueshëm.
“Çdo dokument i lëshuar nga institucionet e Kosovës duhet të “certifikohet” me vulën apostile nga Ambasada Austriake, në mënyrë që ai të merret në konsideratë nga institucionet përkatëse austriake. Me këtë vulë duhet vulosur së paku 5 dokumente, e çmimi për një të tillë është 80€”, vazhdon letra.
Ata më tej kanë shprehur shqetësimin nga fakti që Kosova është i vetmi vend nga Europa ku studentët duhet të paguajnë këtë taksë, për të cilën thonë se kanë adresuar edhe tek presidentja Osmani.
“ Megjithëse këtë çështje e adresuam muaj më parë edhe te Presidentja Osmani gjatë bashkëbisedimit të hapur në Vjenë, dëshirojmë që edhe ju si MASHTI të jeni në dijeni për problemin, meqenëse shumica e dokumenteve për vulosje vijnë pikërisht nga sektori i arsimit. Ne besojmë se i tërë ky potencial akademik përbën një vlerë të lartë njerëzore për komunitetin tonë, vlerë së cilës i mungon qasja dhe trajtimi i duhur nga institucionet përkatëse. Siç e cekëm në fillim, nisma e MASHTI për grante për studentët e Kosovës që studiojnë jashtë vendit është ndër hapat e parë konkretë drejt ndërtimit të urave lidhëse ndërmjet komunitetit tonë dhe vendit prej nga vijmë. Kërkesa jonë është që kjo të jetë vetëm pikënisja e bashkëpunimit, dhe jo maksimumi i tij”, thotë shoqata e studentëve shqiptarë.
Në fund “Societas Albania”, ka kërkuar që të përforcohet bashkëpunimi mes institucioneve kompetente në Kosovë dhe shoqatës së studentëvë në Austri.
“Natyrisht që lutjes sonë për përforcim bashkëpunimi i paraprin fakti se jemi të vetëdijshëm që projekte të tilla marrin kohë dhe kërkojnë diskutim e shtjellim të gjerë. Shoqata dhe komuniteti ynë do t’i gëzohej pamasë përgjigjes suaj pozitive karshi kërkesës sonë dhe me gatishmëri të plotë do të angazhohej në lehtësimin e çdo barriere në këtë rrugë të përbashkët”.
“E mbyllim këtë letër me shpresën që kjo të jetë fillimi i një bashkëpunimi të suksesshëm, për të cilin do të jenë falënderues më së shumti gjeneratat në vijim”, thuhet në fund./Telegrafi.