Telegrafi

Studentët shqiptarë afër NASA-s

Në garë marrin pjesë 20 projekte nga e gjithë bota. Sipas studentëve që punuan në këtë projekt, në rangun global aplikacioni android, të cilin ata e punuan, është në vendin e dytë, ndërsa mbështetja e opinionit do të ndihmonte qe djelmoshat të triumfonin në këtë garë.

Shpërblimi për çmimin e parë është udhëtimi drejt NASA-s dhe ngritja e anijes kozmike. E veçanta e studentëve të cilët janë pjesë e ekipit nga Maqedonia, është se të gjithë janë shqiptarë.

Blerant Ramadani, njëri nga përfaqësuesit e ekipit, ka sqaruar se të gjithë ata që kanë llogari në rrjetin social Twiter, mund të votojnë për njërin nga 20 ekipet konkurruese.

“Aktualisht në jemi në vendin e dytë. Vendin e parë e kanë spanjollët mirëpo ne po i ndjekim. Dallimi është rreth 200 vota, ata janë në epërsi. Shfrytëzoj rastin publikisht që t’u apelojë të gjithë bashkëkombësve tanë, që të na përkrahin, po pse jo edhe etnitë e tjera. Ne jemi qytetarë të Maqedonisë. Një falënderim i madh shkon për ata për që na kanë përkrahur deri më tani, por i lusim që përkrahja e tyre të vazhdojë deri në fund të garës. Votimi bëhet në rrjetin social Twitter. Votimi është shumë i thjeshtë, vetëm duhet të klikohet butoni Twit, përmes së cilës konfirmohet vota për aplikacionin tonë. Votimi zgjat deri me 5 maj”, ka thënë Blerand Ramadani, njëherësh student i Fakultetit të Makinerisë.

Ndërsa, anëtari tjetër i grupit ka sqaruar se projekti që ata e kanë zhvilluar, ka qenë një problem që është parashtruar më herët nga vet Agjencia Hapësinore NASA.

“Kemi zhvilluar një aplikacion Android, i cili iu lehtëson njerëzve që të gjenden më lehtë në hapësirë, posaçërisht në vende të reja. E veçanta ka qenë zgjidhja që kemi dhënë. Aplikacioni mund të punojë edhe pa ndihmën e internetit. Do të thotë, në vendet malore ku nuk ka qasje interneti, njerëzit do të munden ta shfrytëzojnë këtë aplikacion. Do të thotë që në këto vende të vendosen disa antena, stacione, të cilat do të komunikojnë edhe me satelitët, por edhe me shfrytëzuesit e aplikacionit, kur ato do të jenë në afërsi. Kjo zgjidhje lehtëson dhe mundëson që aplikacioni të mund të implementohet edhe në planetët e tjerë në qoftë se e shohin të arsyeshme, shkencëtarët ta bëjnë këtë”, është shprehur Suad Saliu.

Ju mund të votoni për djelmoshat nga Shkupi, duke klikuar mbi këtë link: http://tiny.cc/2xv2ex