Site icon Telegrafi

Studentët protestojnë për përjshatimin e Kosovës nga EQAR-i

Një grup studentësh nën moton “Dua të studioj në Evropë” dhe “Na duhet ndihma juaj, jo përjashtimi”, ka protestuar para objektit të Qeverisë së Kosovës për çështjen e përjashtimit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë ( EQAR).

Protesta është thirrur nga organizata “Paqja Studentore”.

Bujar Islami, njëri nga përfaqësuesit e këtyre studentëve bëri lutje para qeverisë që ata ‘të mos bartin barrën e vendimeve politike’.

“Javën e kaluar ka ndodhur një ngjarje tronditëse për studentët e Kosovës. Ky përjashtim ka ndodhur për shkak të ndikimit politik që ka bërë qeverisja jonë në sistemit të arsimit. Këtë barrë nuk do ta bartin ata por ne studentët. Mos na privon nga e drejta jonë për arsim”, tha ai.

Ndërsa, Përparim Blakaj, një tjetër student bëri thirrje që bordet e AKA-së të mos jenë politikë.

“Qëllimi jonë është të thërrasim në parandalimin e ndërhyrjes së politikës në arsim. Ne nuk e mbrojmë asnjërin bord as atë që ka qenë as atë që është. Të dyja bordet kanë qenë të infiltruara në politikë. Të mos vazhdoj politizimi ia arsimit në Kosovë, kërkojmë nga EQAR që të japë sqarime të detajuara për përjashtimin e AKA-së.”, tha Blakaj.

Dje, Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi kishte thirrur në takim organizatat studentore për të biseduar lidhur me situatën e krijuar rreth AKA-së.

Premton Hulaj , Kryetari i ‘Paqes Studentore’, këtë takim e quajti ‘të çuditshëm’ dhe një formë presioni.

“Ka qenë ditë e diel, thirrja është bërë 3 – 4 orë para takimit. Ne e bëmë një reagim dhe kërkuam të protestojmë për të drejtat tona. Takimi ishte jo takim zyrtar sipas rregullave, nuk kemi mundur të gjithë organizatat të jemi prezentë në këtë takim. Ka qenë takim i çuditshëm dhe me njëfarë forme ka qenë presion. Do të unifikohemi dhe së bashku do ti arrijmë qëllimet tona”, tha Hulaj.

Ndryshe, Agjencia e Akreditimit të Kosovës, javën e kaluar u përjashtua  nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë për shkak të vendimit që ishte marrë muaj më parë nga Ministri i Arsimit për të shkarkuar bordin e kësaj agjencie. /Telegrafi/

Exit mobile version