Site icon Telegrafi

Studentët me mesazh për deputetët: Le të mësojmë pak se boll doktoruam

Disa studentë mëngjesin e së enjtes kanë mbajtur një aktivitet simbolik para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

Ata thanë se përmes këtij aktiviteti, duan të dërgojnë mesazh tek deputetët për të përfaqësuar denjësisht popullin e Kosovës.

“Me këtë e dëshirojmë t’ju dërgojmë një mesazh deputetëve, të zgjedhurve të popullit që t’i përfaqësojnë qytetarët në mënyrë të dinjitetshme dhe sa më të merituar. Për atë punë edhe janë të thirrur dhe t’i përfaqësojnë më së miri”, tha njëri nga organizatorët.

Studenti Blendon Arifi, tha se deputetët përveç gabimeve elementare në lexim, kanë filluar edhe të recitojnë.

“Ky është aktiviteti ynë i dytë me radhë si lëvizje e re politike, që zhvillohet prej neve studentëve…Ky aktivitet po bëhet për shkak të gjendjes ku kanë filluar deputetët që të kenë probleme që nga leximi, e pastaj kanë filluar edhe të recitojnë edhe ne dëshirojmë që si studentë edhe lëvizja jonë politike, dëshirojmë që ata të jenë më serioz të përfaqësojnë popullin më dinjitetshëm në këtë institucion, sepse Kosova nuk është hajgare”, tha Arifi.

Ndër të tjera, njëri nga organizatorët e këtij aktiviteti tha se nëse i pyesin deputetët për shkollimin, të gjithë do të tregojnë se kanë Master e Doktoratura të përfunduara, por në anën tjetër ata bëjnë gabime elementare. /Telegrafi/

Exit mobile version