Kur pret përparim e shkon më mbrapa; kur pret ngritje e shkon më poshtë… kështu po ndodh edhe brenda universitetit tone: pret ndryshime në të mire – ndodh më keq.
Dyert pritnin e përcillnin studentë, korridoret ishin të mbushura plotë e përplot – më shumë me “militantë” të organizatave studentore se sa me studentë që pritnin të votonin. Shumë prej tyre, pra studentë, patën probleme duke mos mundur të kalonin nëpër kortidore për të mbërritur deri tek një sallë ku një profesor po jepte nënshkrime, sepse rregulli dhe rendi nuk ekzistonte aspak edhe pse pretendohej se kishte.
Para se të vinte dita e zgjedhjeve, shumë organizata në mënyrë tipike – të partive politike – filluan fushatën e tyre zgjedhore. U bë laramani para dyerve të fakulteteve, e u investua shumë në fanella, kimikë, fletore e gjëra të ndryshme. E këto i financoi një pjesë UP-ja e një pjesë partitë prej të cilave burojnë.
Parregullsi, rrëmujë, kërcënime, mashtrime e shumë gjëra të tjera ndodhën ditën kur u votua. Në fund filluan të numërojnë votat dhe të tregohet fituesi.
Mbrëmja dha edhe fituesin, i cili për festë nuk zgjodhi as më shumë e as më pak se sa të paguaj një këngëtarë dhe atë “midis” oborrit të fakultetit, duke ja humbur kuptimin e një vendi akademik. E për t’ia shtuar më shumë të keqen, u përkujdesën të deklarohen se kjo është mënyrë që e bëjnë edhe partitë politike kur fitojnë. Ja në çka marrim shembull.
Kjo do të thotë që një organizatë është edhe derivat i një partie politike. Pra, kur pret se po vjen ndryshimi, në fakt ngulfatemi me shumë. Po shkojmë më mbrapa, po largohemi më shumë nga mënyra e saktë e qasjes brenda universitetit.
Çka në fakt po përfiton studenti nga këto përçarje që bëjnë organizatat? Sa po dobësohet faktori studentë përball klaneve të cilat kanë për synim t’ia zbrazin gjepin studentëve e të pasurohen për vete: të hanë darka, të flasin lirshëm në telefon e të shëtisin pa ndërprerë. Si duhet të unifikohet trupi studentor? Si duhet dhe sa mund t’i bëjë ballë klaneve të cilat kanë arritur ta mbajnë të përçarë këtë trup për këtë kohë të gjatë?
Këto janë pak nga pyetjet që në fakt nuk duhet të ekzistonin fare.
Derivat i këtyre përçarjeve mes organizatave është pra dobësimi i trupit studentor, para atyre që e duan në fakt këtë gjë. Ai po dobësohet çdo herë e më shumë në favor të klaneve me këtë interes. Ndarja në organizata, fyerja në mes tyre, pranimi i ndikimit nga partitë politike nuk i ndihmon unifikimit, por ndarjes. Politizimi i studentit, njohja e të drejtave të tij, kërkesat për plotësimin e këtyre të drejtave dhe kushteve brenda universitetit do ta mundësonte forcimin e këtij trupi studentor kundrejt klaneve me qëllime jo të mira ndaj trupit studentor.
Na duhet një frymë e re brenda studentit. Universiteti nuk është i askujt: ai ka qenë i studentëve, është i studentëve dhe do të mbetet i studentëve!