Disa studentë të Universitetit “Hasan Prishtina” sot kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës për të kërkuar drejtësi për vdekjen tragjike të Agon Musliut javë më parë në Qendrën Studentore, e cila po shërben si karantinë.
Studentët kishin vendosur pankarta në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë me mbishkrimet “Drejtësi vepro” dhe “Heshtja vret më shumë”.
Rinor Kqiku, student në Universitetin “Hasan Prishtina”, theksoi se janë mbledhë në sheshin “Skënderbeu” dhe kanë marrë një iniciativë për të kërkuar drejtësi për kolegun e tyre Agon Musliu i cili i japi fund jetës gjatë kohës sa po qëndronte konvikt pas kthimit në Kosovë.
Studenti nga Gjilani shprehu pakënaqësi për mosveprimin e institucioneve përkatëse për zbardhjen e këtij rasti.
“Ne jemi të pakënaqur me neglizhencën e institucioneve dhe me masat e rrepta që i kanë marrë ndaj studentit, duke i ditur edhe shkaqet shëndetësore, të cilit iu ka ndaluar që të vetëizolohet në shtëpi si dhe për t’i familjarët e tij. Ne kërkojmë prej institucioneve përgjegjëse që ta zbardhin rastin. Ne si studentë kemi bërë edhe aktivitete të tjera, ndërsa për aktivitete të tjera do të jeni të informuar”, theksoi Kqiku.
Studenti Kqiku ka mohuar që ky aktivitet ka ndonjë prapavijë politike, i cili tha se nuk përfaqësojnë asnjë organizatë dhe as një parti politike, por vetëm kërkojnë drejtësi, për kolegun e tyre. /KP/