Site icon Telegrafi

Studentët, interesim i madh për punë jashtë Maqedonisë

Përderisa kompanitë e gastronomisë dhe shërbimet e hotelerisë po përballën me mungesë të fuqisë punëtore dhe kërkojnë importimin e punëtorëve të huaj, Jetmiri, një student i psikologjisë i vitit të tretë, veç më ka aplikuar në një nga agjencitë e ndërmjetësimit për punë sezonale për në Gjermani.

Kjo është radha e tretë që Jetmiri punon jashtë vendit pas përfundimit të sezonit të provimeve. Me të ardhurat që fiton për 3 muaj atje thotë se i mjaftojnë që të mbuloje shpenzimet e studimeve për një vit këtu.

“Dy vitet e kaluara isha në Gjermani. Ekziston edhe mundësia e SHBA-së por më tërheq më shumë Gjermania sepse është më afër, me popullatë me të vogël dhe më duket më i sigurte. Arsyeja kryesore është ajo financiare por edhe faktor i rëndësishëm është edhe përvoja që studentet e hasin atje duke punuar dhe jetuar tre muaj larg familjes”, tha Jetmir Musa, student.
Vendet e punës që ofrohen për studentët janë zakonisht në kompanitë e Ushqimeve të shpejta ndërsa vështirësitë me të cilat përballën studentët atje, sipas Jetmirit është disiplina në vendet e punës.

“Mund ta them për Gjermanet se si popull e kanë atë stereotipin që janë konciz, të saktë dhe nuk tolerojnë shumë, kanë shumë disiplinë për dallim nga ne. Sa i përket asaj se si sillen punëdhënësit me ne, shumë të rralla janë rastet kur ndoshta kemi bërë ndonjë gabim dhe në mënyrë më të vrazhdë na përkujtojnë se kemi gabuar”, shtoi ai.

Agjencitë e ndërmjetësimit thonë se këtë vit interesimi për aplikim nga ana e studentëve ka filluar shumë më herët se vitin e kaluar dhe tani më janë plotësuar edhe kapacitetet ndërsa arsyeja që studentet zgjedhin të punojnë jashtë vendit është kryesisht ajo financiare.

“Më herët përfunduam me një masë të madhe personash…Deri në 90 ditë ato kanë leje të punës dhe me atë leje punë kanë të drejtë të qëndrojnë në një nga shtetet e Evropës 90 ditë kalendarike, fitojnë para dhe me ato para shkollohen gjatë gjithë vitit, ato që nuk kanë kush t’i financojë përfundojnë fakultet me ato para”, tha Aleksandra Bozhinovska, pronare e një agjencioni ndërmjetësimi.

Në të shumtën e rasteve studentëve që punojnë në Gjermani u ofrohet punë në gastronomi por edhe punë në sferën e hotelerisë. Ndërsa vetëm në këtë agjenci ndërmjetësimi tash më 1000 studentë që kanë aplikuar presin të nisen drejtë Gjermanisë./Alsat.mk

Exit mobile version