Studentët sot po protestojnë në dy fronte. Një grup me pankarta të bardha në duar te Ministria e Arsimit dhe grupi tjetër te Kryeministria.
Që të dyja grupet thonë se janë të depolitizuara. Ata janë në një mendje për kërkesat e tyre, por po ndryshojnë për vendin e protestës.
Ndërsa të dyja grupet thonë se nuk duan dialog. Studentët që po protestojnë te Ministria e Arsimit shpjeguan për Top Channel pse nuk shkojnë te Kryeministria.
“Mendojmë se Ministria e Arsimit është përgjegjëse për Universitetin, por si të protestosh para Ministrisë së Arsimit, si të protestosh përpara Kryeministrisë, kauza është e njëjtë. Çdo student zgjedh të protestojë ku të dojë. Rëndësi ka kauza dhe fakti që ne nuk tërhiqemi. 8 pikat tona nuk janë të negociueshme”, thonë studentët.
Në lidhje me ftesën që u ka bërë kryeministri Edi Rama për dialog, studentët thanë: “Ato të kryeministrit janë fjalë të kota. Ai kërkon FRESSH-ista për dialog dhe kërkesat do t’i kthejë sipas interesit të tij. Kërkesat janë të qarta dhe do të protestojmë deri në plotësimin e plotë të kërkesave tona”./Top Channel/