Studentët e vitit të parë, në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë kanë vendosur t’i bashkohen bojkotit, për vitin akademik.
Ata thonë për Euronews Albania, se në ditën e 4 të nisjes së universitetit, ende nuk u është ofruar marrëveshja, për punësimin 5 vite pas përfundimit të studimeve dhe as tarifa sa duhet të paguajnë nëse nuk pranojnë të firmosin.
Studentët e mjekësisë po bojkotojnë mësimin, pasi kërkojnë anulimin e ligjit që i detyron të punojnë në Shqipëri për marrjen e diplomës.
Ky ligj i detyron studentët e mjekësisë të cilët nisin këtë vit studimet, që të punojnë në Shqipëri për një periudhë 5 vjeçare.
Për studentët të cilët janë tashmë duke ndjekur këtë degë, vitet janë më të ulëta, 3 vite. Në rast se ata refuzojnë të nënshkruajnë këtë marrëveshje atyre do u duhet të paguajnë një tarifë më të lartë.
Studentët kanë njoftuar dhe mbajtjen e një proteste ditën e premte në orën 09:00, për t’i dhënë më shumë zë kërkesave të tyre. /Telegrafi/