Telegrafi

Studentët e Universitetit të Gjilanit kërkojnë dy provime në afatin e nëntorit, paralajmërojnë masa tjera

Studentët e universitetit publik “Kadri Zeka” në Gjilan kanë protestuar dy ditë rresht duke kërkuar dy provime për kusht për afatin e nëntorit. Ata thonë se nuk do të ndalen derisa menaxhmeti i këtij universiteti të marrë parasysh kërkesën e tyre. Ndërsa, nga Zyra e Informimit të Universitetit thonë se do ta shqyrtojnë kërkesën.

Po kërkojnë që afati i nëntorit të ketë dy provime me kusht, për dallim nga një sa ka tani.

E për këtë kërkesë, studentët e Universitetit publik “Kadri Zeka” në Gjilan kanë protestuar dy ditë rresht dhe thonë se nuk e kanë ndërmend të ndalen.

“Ne si Parlament Studentor kemi organizuar protesta paqësore gjatë dy ditëve të fundit në Universitetin “Kadri Zeka”. Ne kemi kërkuar që afati i nëntorit të ketë dy provime e që këto të jenë për të vlejnë për kusht”, thotë për RTV Dukagjinin Dritor Mehmeti.

Mehmeti madje thotë se për këto protesta ka pasur edhe kërcënime nga ana e menaxhmetit të këtij universiteti.

“Nëse vërejmë se kërkesa jonë nuk do të rishqyrtohet dhe nuk do të ketë reflektim në këtë drejtim, ne përsëri do të vazhdojmë me protesta”, shton Dritor Mehmeti, përcjell Telegrafi.

Se nuk do të zmbrapsen nga kjo kërkesë deri sa të realizohet, kanë bërë të ditur edhe disa studentë të tjerë.

“Arsyeja pse jemi në protestë është pikërisht afati i nëntorit që kërkojmë të bëhet me dy provime dhe të vlejë për kusht”, thotë studentja Elita Bardhi.

“Ne nuk do të ndalemi me kaq. Nëse nuk reflektojnë ne do të kemi veprime pak më ndryshe”, thotë studentja Fitore Isufi.

Ndërsa zyrtarja për informim në këtë universitet, Minire Rexhepi, ka thënë se kërkesa e studentëve pritet të shqyrtohet nga senati.

“Senati ka gjetur mirëkuptim me studentët dhe ka lejuar afatin që të ketë një provim me kusht, mirëpo kjo nuk ka qenë e kënaqshme për studentët andaj ka ardhur kjo rrjedhojë…Pas takimit që kemi pasur dje me Parlamentin Studentor është arritur një ujdi që do të rishqyrtohen kërkesat e tyre”, deklaroi Minire Rexhepi.

Ndërkohë, në Universitetin e Prishtinës, në afatin e nëntorit studentët kanë mundësi të paraqesin nga dy provime. /Telegrafi/