Studentët e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” shprehen të revoltuar ndaj rritjes së çmimeve të shërbimeve në fakultete të caktuara. Siç thanë ata, shpenzimet e reja vështirësojnë edhe më shumë studimet posaçërisht në rastet kur studimet financohen nga prindërit e tyre.
“Nuk isha shumë e befasuar, këtë e prisja. Prindërit e mi ishin vërtet të revoltuar, gjithashtu edhe unë, sepse prej tyre marr para për fakultet. Janë ata që punojnë, sikur edhe unë ti fitoja do të isha njëjtë nervoze. Unë dua ta paguaj vetëm këstin përveç nëse diçka nuk është e patjetërsueshme”, tha një studente.
“Mjaft kemi shpenzime si student dhe për çka se ne jemi persona të papunësuar parasë gjithash, studentë jemi dhe rritja ishte e panevojshme. Shpenzimet shtesë vetëm se na vështirësojnë studimet”, shtoi një studente tjetër.
Ngjashëm mendojnë edhe disa nga prindërit e studentëve që takuam. Ata tashmë kishin përgatitur paratë për të paguar shërbimet me çmimet e reja.
“Si prind shumë vështirë, unë jam pensioniste dhe kjo rritje ishte shumë e vështirë edhe për ne sepse ne si prind financojmë gjithçka. Dëshirojnë të studiojnë prandaj t’ua japim mundësinë”, tha një prind.
Blendi Hodai nga Forumi për ndryshime në arsim dhe njëkohësisht student vlerëson se asnjë nga shërbimet që paguhen nuk janë në dispozicion të studentëve. Hodai theksoi se duhet të mendojnë model të ri të financimit të universiteteve, por jo në kurriz të studentëve.
“Jemi duke folur për disa shërbime që Universiteti duhet ti ofroj por nuk ti ofron dhe të detyron të paguash për të njëjtat shërbime. Për shembull shërbimet e resurseve online që nënkupton shërbime në qasjen e bibliotekës dixhitale, qasje në data baza të ndryshme hulumtuese, qasje deri te aplikacionet Microsoft-it që duhet të jenë të licencuara. Pra, të gjitha këto nuk figurojnë, nuk I kemi si student në USHKM dhe që është më kundërthënësja Universiteti të detyron të paguash për këto shërbime online që nuk i ke asnjëherë”, tha Blendi Hodai, Forumi për Ndryshime në Arsim.
Në reagimin e Unionit të Parlamentit Studentor thuhet se i kuptojnë sfidat me të cilat ballafaqohet USHKM, megjithatë, ata besojnë se shumica e këtyre kostove financiare nuk duhet t’u barten studentëve, por duhet të mbulohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Financave, si dhe nga fonde të tjera shtetërore./Alsat/