Telegrafi

Studentët e UEJL-it letër të hapur për Merkelin dhe Macronin, kërkojnë ndihmë për euro-integrimet

Studentët e Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), kanë kërkuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emanuel Makron që të ndihmojnë integrimin evropian të vendit.

Në prag të Samitit të Këshillit Evropian, studentët përmes një letre të hapur thonë se pa ndihmën e Brukselit do të ishte vështirë përmbushja e kapitujve 23 dhe 24.

“Ne si studentët vlerësojmë se aderimi i RMV në Unionin Evropian, nuk mund të bëhet pa përkrahjen e tyre dhe se fuqizimi i vlerave perëndimore dhe rritja e efikasitetit të gjyqësorit, përjashtimi i drejtësisë selektive mund të ndodh vetëm me mbikëqyrje të Brukselit zyrtar. Politikanët e shtetit tonë do i kisha porositur që, ashtu siç angazhohet Unioni Evropian në lidhje me aderimin tonë që edhe ata të bëjnë maksimumin që të arrihet në kohë integrimi në BE”, tha Anila Pajaziti, studente në UEJL.

Nisma e studentëve është mbështetur edhe nga stafi akademik, ndërsa kanë kërkuar që kësaj letre të hapur t`i bashkëngjiten edhe studentët e universiteteve të tjera.

Letra e hapur e studentëve të Universitetit të Evropës Juglindore, vjen pak kohë përpara Samitit të Këshillit Evropian ku pritet të merret vendimi për datën e çeljes së negociatave me Maqedoninë e Veriut.