Studentët e Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL) kanë shprehur pakënaqësitë e para për bashkëpunimin me universiteti “Nënë Tereza” dhe janë totalisht kundër bashkimit të tyre, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Burime të Alsat nga parlamenti studentor, njoftojnë se studentët kanë reaguar ashpër duke e quajtur diskriminim në bazë financiare mësimin e studentëve në një objekt bazuar në shumën e parave që paguajnë për semestër. Ata thonë se paguajnë shumëfish me tepër se kolegët e tyre nga universitetet publike dhe nuk pajtohen të ndajnë kushtet e njëjta me studentët e UNT-së.
Jozyrtarisht mësohet se studentët janë totalisht kundër shkrirjes së dy universiteteve në një, kjo për shkak të dallimeve mes universiteteve private nga ata publike. Për të shprehur publikisht pakënaqësitë e tyre, mësojmë se studentët kanë paralajmëruar protesta, organizim të peticionit dhe janë kërcënuar me tërheqje të dokumenteve.
Burime të Alsat thonë se nga rektorati i këtij universiteti është premtuar se bashkëpunimi nuk do të ndikojë në cilësi dhe nuk do të ketë përzierje të politikave arsimore. Gjithashtu jozyrtarisht mësojmë se për fillimin e vitit të parë akademik, UNT-së i janë ndarë vetëm dy klasa, në objektin e UEJL-së, në Shkup.
Për të gjitha këto informacione, Alsat kërkoi konfirmim nga Universiteti i Evropës Juglindore, por deri në këto momente, nuk kemi asnjë përgjigje. Ditë më parë, nga UEJL nuk konfirmuan shkrirjen e tyre në UNT por thanë se janë për gjetjen e modeleve të qëndrueshme për universitetin me qëllim të ruajtjes së misionit dhe standardeve ndërkombëtare të krijuara në universitet. Shkrirjen e mundshme e ka komentuar edhe ministri i Arsimit Pishtar Lutfiu, sipas të cilit, është proces që duhet të ndodhë natyrshëm. /Telegrafi/