Një grup studentësh të përzgjedhur nga gjenerata e tretë e KEDS Academy, së fundmi vizituan qytetin e Stambollit, për të zgjeruar më tej njohuritë e tyre teorike dhe praktike.
Gjatë kësaj vizite të organizuar nga KEDS, studentët vizituan Universitetin Boğaziçi, selitë e kompanive Limak dhe Çalik, dhe shumë vende të tjera për të parë nga afër disa nga zhvillimet më të reja të kësaj industrie.
Në laboratorët e Universitetit Boğaziçi, për studentët u mbajt një ligjëratë lidhur me aksidentet e mundshme në pajisjet elektrike dhe rëndësinë e sigurisë në vendin e punës. Në një leksion tjetër tepër atraktiv, ata u njohën me efektet e komunikimit profesional, ku u angazhuan edhe vetë ata.
Gjatë vizitës në Limak, studentët u pritën nga Serhat Dinç, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Limak Energy, i cili është anëtar i Bordit Ekzekutiv të KEDS dhe krijues i KEDS Academy. Dinç prezantoi kompaninë, ku foli edhe për projektet e energjisë dhe investimet që ata kanë në mbarë botën.
“Komunikimi me të rinjtë është shumë më i këndshëm. Ne kemi hapur dyert për ju. Po bëjmë maksimumin për t’iu motivuar, dhe kur shohim sukseset tuaja, ne jemi shumë të lumtur që punojmë me ju”, tha Dinç.
Në një diskutim interaktiv, z.Dinç angazhoi nxënësit duke i kërkuar atyre mendimin e tyre në lidhje me programin e KEDS Academy, nëse ata do të ndryshonin diçka në program, për planet e tyre për të ardhmen, dhe se si ata e shohin KEDS-in nga jashtë.
Në një vizitë në kompaninë Çalik, Ridvan Aktürk, Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë YEDAŞ Energy, i informoi studentët kosovarë për bizneset dhe investimet e Çalik, pjesë e së cilës është edhe YEDAŞ.
Për më tepër, studentët dhe zyrtarët e KEDS po ashtu vizituan vende dhe monumente kulturore të qytetit të Stambollit.
Këto vizita u lanë përshtypje të shkëlqyeshme të gjithëve.
“Udhëtimi ishte shumë mirë i organizuar dhe ne kishim mundësi të shihnim se si një kompani e madhe duhet organizuar”, tha Erandë Reçica, studente e KEDS Academy.
Të njëjtën përshtypje kishte edhe një pjesëtar tjetër i akademisë, Lorik Peci.
“Vizita e monumenteve historike, Universitetit Boğaziçi dhe kompanive të mëdha, e bëri këtë udhëtim thjesht të mrekullueshëm”.
Kjo ishte hera e tretë që anëtarët e KEDS Academy vizitojnë Stambollin. Vizita të ngjashme ishin organizuar edhe për gjeneratën e parë dhe të dytë të akademisë.
Kjo vizitë ishte përfundimi i programit të gjeneratës së tretë, përderisa KEDS është duke bërë përgatitjet për fillimin e gjeneratës së katërt, që pritet të fillojë së shpejti. /Telegrafi/