Site icon Telegrafi

Studentët e Ferizajt do ta kryejnë praktikën në ujësjellësin Prishtina

Në shpirtin e zhvillimit të një edukimi universitar sa më të afërt me Institucionet në interes të avancimit të njohurive, gjatë ditës së sotme, Universiteti Publik i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, i përfaqësuar nga ushtruesi i detyrës së Rektorit Agron Bajraktari dhe Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” përfaqësuar nga Gjelosh Vataj, Kryeshef Ekzekutiv, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucional.

Qëllimi i kryerjes së mësimit praktik ka të bëjë me lidhshmërinë e mësimnxënies teorike me punë praktike, për arritje më të mëdha dhe avancim të diturisë, të parapara me planet dhe programet mësimore të Fakultetit, por edhe dobiprurëse për një progres më të mirë ekonomik.

Objekti i marrëveshjes së nënshkruar gjatë ditës së sotme në mes të të dyja institucioneve publike, është realizimi i vëzhgimit praktik të studentëve të këtij Universiteti në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal”Prishtina” si kompani e specializuar në furnizimin me ujë të pijshëm, mirëmbajtjen e sistemeve të furnizimit me ujë të pijshëm dhe ujërave të zeza si dhe impianteve të tyre.

Në kuadër të kësaj marrëveshje, Kompania mund të angazhojë Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj në ofrimin e zgjidhjeve të mundshme aplikative për probleme praktiko/shkencore.

Marrëveshja e sotme, hapë dyert për bashkëpunime të mëtejme. /Telegrafi/

Exit mobile version