Telegrafi

Studentët e farmacisë të Tiranës vizituan Trepharmin

Studentët e Fakultetit të Farmacisë së Universitetit të Tiranës, dhe profesor tw këtij universiteti kanë vizituar Fabrikën e Barnave TrePharm në Sllatinë. Me këtë rast ata janë njoftuar gjerësisht me procesin e prodhimit në këtë fabrikë, që vlerësohet ndër më modernet në rajon, me teknologjinë po ashtu, fjalë e fundit e teknologjisë dhe me ambientet e shumta atraktive të fabrikës.

Studentët shqiptarë – farmacistë të ardhshëm nga Shqipëria me rastin e vizitës që i bënë TrePharmit janë ndarë të kënaqur me pritjen që ua ka bërë stafi i fabrikës me në krye drejtorin ekzekutiv, Mërgim Prishtina, në veçanti me teknologjinë moderne që është aplikuar këtu. Mbresëlënëse ishte edhe gama e gjerë e produkteve farmaceutike që prodhohen në Trepharm. Në këtë fabrikë tani prodhohen rreth 100 barna të ndryshme. Ata janë deklaruar se janë të mahnitur me procesin e prodhimit, stafin e përgatitur dhe stabilimentet e përkryera teknologjike. Ndërkohë që kanë shprehur habi pse shumica e këtyre barnave, të verifikuara për cilësi të lartë dhe me përmbushje të të gjitha standardeve europiane e botërore nuk plasohen në tregun shqiptarë të barnave.

Mbi 70 studentë shqiptarë së bashku më pedagogët e tyre kanë vizituar pothuaj të gjitha njësitë punuese në Trepharm. Në laboratorin bashkëkohorë të Fabrikës, i akredituar në Kosovë në fushën e kontrollit të cilësisë të produkteve farmaceutike, janë njoftuar se si bëhen testimet dhe analizat e parametrave fiziko-kimike dhe ato mikrobiologjike të produkteve farmaceutike dhe të ujit dhe të ushqimit. Po kështu në sektorët e prodhimit të barnave kanë parë procesin e prodhimit dhe janë shprehur se janë të mahnitur me teknologjinë bashkëkohore por edhe me përgatitjen dhe përkushtimin e punonjësve.

Studenti Eni Begotaraj, student nga Tirana tha se fabrikën e vlerësojë me notë maksimale si dhe gamën e gjerë të prodhimeve. Ai tha se nuk është aspak e drejtë mbyllja e tregut shqiptar për Trepharmin, sepse produktet e kësaj fabrike janë shumë cilësore dhe me çmime të arsyeshme . Dhe së dyti, përderisa jemi dy shtete shqiptare duhet të eliminojmë burokracirat dhe të lejojmë konkurrencën e ndershme.

Rexhina Sade deklaroi se i ka bërë përshtypje kualifikimi dhe profesionalizimi i personelit. Ajo shpreson në lehtësimin e procedurave dhe minimizimin e pengesave që hasin këto barna në treguan shqiptar aq më parë duke parë seriozitetin në të gjitha etapat e punës dhe cilësinë e barnave të prodhuara këtu. Juliana Sulaj theksoi se në kuadër të bashkëpunimit Kosovë Shqipëri jam shumë dakort për futjen e produkteve të TrePharm në tregun farmaceutik shqiptar, madje edhe në listën e rimbursimit të barnave. Qeveristë duhet të angazhohen në realizimin e futjes së produkteve përkatëse në tregun e njëri tjetrit. Ne në farmaci i promovojmë produktet tuaja. /Telegrafi/