Telegrafi

Studentet e AAB-së do ta kryejnë praktikën në PTK

Universiteti AAB dhe Postës dhe Telekomit të Kosovës sot kanë nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi, e cila do të mundësojë promovimin, përkrahjen dhe ngritjen e bashkëpunimit reciprok, në funksion të zhvillimit të përgjithshëm edukativ, social dhe ekonomik.

Kjo marrëveshje ka për qëllim ngritjen e nivelit të bashkëpunimit në mes të Universiteti AAB dhe Postës dhe Telekomit të Kosovës, me pikësynim përkrahjen e ngritjes së nivelit edukativ dhe profesional të të rinjve kosovarë, si dhe në krijimin e një ambienti më të volitshëm ekonomik.

“Studentët e AAB-se do të kenë mundësi që të angazhohen në kryerjen e punës praktike në PTK, me qëllim të aftësimit të tyre profesional, gjenerimit të punësimit dhe zvogëlimit të papunësisë”, ka thënë drejtori Menaxhues i PTK-së, Agron Mustafa me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes.

Njëherësh, kjo marrëveshje do të mundësojë që AAB dhe PTK-së të shkëmbejnë ekspertët dhe përvojat e tyre në fushat e caktuara ekonomike me qëllim të realizimit të qëllimeve të përbashkëta.

Ndërsa nga ana e saj, dekanja e Fakultetit Ekonomik në AAB, Vjollca Hasani, tha se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, AAB dhe PTK pajtohen që të realizojnë projekte të përbashkëta ekonomike.

“AAB dhe PTK synojnë realizimin e projekteve që kanë të bëjnë me përmirësimin e ambientit ekonomik dhe social në Kosovë, hartimin e analizave të kërkimit të tregut dhe në rastet kur bashkëpunimi është i mundshëm të paraqesin ofertën e përbashkët dhe të këmbejnë informatat e domosdoshme për implementimin e projekteve”, ka theksuar Hasani.

PTK do të vazhdojë të zgjerojë bashkëpunimin dhe përkrahjen, me qëllim të aftësimit profesional të të rinjve dhe krijimit të një ambienti më të volitshëm ekonomik për qytetarët e vendit tonë. Marrëveshja në fjalë është nënshkruar në ambientet e PTK-së. /Telegrafi/