Banorët e Vërtekicës presin që brenda javës të realizojnë takim me përfaqësues të Inspektoratit të arsimit, me qëllim që më pas të vendosin nëse do të pranojnë të lëshojnë fëmijët e tyre që të kthehen në bankat shkollore ose jo.
Ndryshe, Nxënësit e shkollës fillore “Kemal Ataturk”, në fshatin Vërtekicë, tashmë për të dytën javë me rradhë bojkotojnë mësimin për shkak se nuk duan që të pezullohet njëra nga dy paralelet ekzistuese, pas çka nxënësit nga klasa e parë deri në të katërtën do të duhet të ndjekin mësimin në një klasë të vetme.
Banorët e Vërtekicës kërkojnë që të rishqyrtohet vendimi i komunës, pasi vlerësojnë se ky vendim është marrë politikisht. Nga ana tjetër kryetari I komunës së Studeniçanit, Azem Sadiki, javën e kaluar ka deklaruar se kjo nuk është hera e parë që komuna merr vendime të tilla, duke shtuar se të gjitha vendbanimet ku është zvogëluar numri i nxënësve është vepruar njësoj. Ai tha se janë të detyruar për një gjë të tillë për shkak të mjeteve të kufizuara të komunës dhe në këtë mënyrë do të mundësohet zvogëlim i shpenzimeve.
Në fshatin Vërtekicë në klasë të parë janë dy nxënës, në klasë të dytë një nxënës, në klasë të tretë nuk është asnjë nxënës, ndërkaq në klasën e katërt janë katër nxënës./Shenja/