Vendimi i Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës për formimin e Përfaqësueses A te femrat dhe pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare po mirëpritet nga komuniteti i basketbollit.
Shumë lojtare e kanë ëndërruar një ditë të tillë, megjithatë nuk kishin mundësi të luanin për Kosovën. Ky është një motiv për të gjeneratat e reja që do të kenë mundësi të shkruajnë historinë për të debutuar me Kosovën në garat ndërkombëtare.
Njëra nga basketbollistet e gjeneratës së artë është Shemsije Stublla. Ajo ka thënë se ky vendim është shumë i mirë për ata që e duan basketbollin dhe motiv për vashat e reja.
“Me siguri që ky duhet të jetë një vendim shumë i mirë dhe i mirëpritur nga të gjithë ata që e duan basketbollin. Posaçërisht mendoj se duhet të jetë një motiv i madh për të gjitha vajzat kosovare që merren me këtë sport. Gjithashtu është motiv për klubet, trajnerët dhe ata që janë duke punuar për ngritjen e nivelit të basketbollit të femrave në Kosovë. Unë shpresoj që vajzat tona të paraqiten sa më mirë në këto gara dhe ju uroj shumë suksese”, është shprehur Stublla për faqen zyrtare të FBK-së.
Duhet theksuar se Shesmije Stublla ka luajtur për Universitetin e Prishtinës deri në vitin 1989 për t’u transferuar më pas në Maribor. Ajo ka qenë lojtare aktive deri në vitin 2000, ndërsa tani jeton dhe vepron në Slloveni.
Kosova pritet të marrë pjesë në FIBA Kampionatin Evropian të Shteteve të Vogla, që do të organizohet në vitin e ardhshëm në Nicosia të Qipros prej 15 deri më 20 Qershor.
Në FIBA Kampionatin Evropian për Shtetet e Vogla-Femrat në vitin 2020 janë paraqitur për të garuar: Andorra, Qipro, Gjibraltari, Irlanda, Luksemburgu, Malta dhe Norvegjia, por që u anulua për shkak të pandemisë Covid-19. Regjistrimi i shteteve për pjesëmarrje në FIBA Kampionate Evropiane në FIBA Europe do të bëhet si zakonisht, pra ndërmjet muajve Shtator/Tetor 2020.
FIBA Evropa ka kërkuar nga të gjitha Federatat Nacionale që të regjistrojnë ekipet e tyre për vitin 2021, pasi regjistrimet e paraqitura për vitin 2020 nuk do të merren parasysh.