Kanë kaluar rreth 60 vjet që kur filozofi dhe historiani Thomas Kuhn shkroi librin e tij influencues, “Struktura e revolucioneve shkencore”. Teza e Kuhnit ishte e thjeshtë por heretike: zbulimet e reja në shkencë ndodhin jo përmes akumulimit gradual të ndryshimeve të vogla në mënyrën aktuale të të menduarit, por nga shfaqja e papritur e ideve radikale që çojnë në zëvendësimin e modeleve aktuale me diçka totalisht të ndryshme. Siç ishte rasti kur astronomët vendosën se Toka rrotullohet rreth Diellit dhe jo e kundërta, këto “ndryshime paradigmash” çojnë në një model krejtësisht të ri që bëhet baza për studim shkencor “normal” dhe eksperimentim derisa edhe ai vetë të zëvendësohet.
E përmenda Kuhnin sepse ideja e tij është aq e rëndësishme për shkencën sociale sa edhe për shkencën natyrore. Shembulli që kam në mendje është Lindja e Mesme aktualisht, ku ka mbizotëruar për më shumë se gjysmë shekulli paradigma e Izraelit dhe fqinjëve të tij.
Thuajse gjithçka që është thënë dhe shkruar rreth çështjes reflekton rezultatin e Luftës Gjashtëditore të qershorit 1967 që la Izraelin në kontroll të territoreve që më parë i përkisnin Jordanisë (Jerusalemi Lindor dhe Bregu Perëndimor), Egjiptit (Gadishulli Sinai dhe Gaza) dhe Siria (Lartësitë Golan). Që atëherë, modeli diplomatik “normal” (pasqyruar në Rezolutën 242 të Këshillit të Sigurimit të OKB dhe ato pasardhëse) ka supozuar se Izraeli do ta shkëmbente këtë territor në këmbim të sigurisë dhe paqes.
Për ca kohë, paradigma dukej se ishte e vlefshme. Izraeli ia ktheu Sinain Egjiptit, duke lejuar dy vendet të nënshkruajnë një traktat paqeje që ka zgjatur deri sot. Vite më pas, Izraeli dhe Jordania i normalizuan marrëdhëniet mes tyre. Negociatat mes Sirisë dhe Izraelit qenë pranë suksesit, por dështuan në fund, kryesisht sepse presidenti sirian Hafez al-Assad (babai i presidentit aktual sirian Bashar al-Assad) nuk donte të nënshkruante një kompromis.
Nuk është më e mundur të imagjinohen bisedime paqeje, jo më marrëveshje, mes qeverisë së Assadit dhe asaj të kryeministrit izraelit Binyamin Netanyahu. Qeveria izraelite e aneksoi kohë më parë Lartësinë Golan dhe tani qeveria e Assadit varet gjithnjë e më shumë te armiku i Izraelit, Irani, për të mbijetuar dhe në vend të negociatave, shohim Izraelin që sulmon forcat dhe pajisjet iraniane në territorin sirian.
Progresi diplomatik mes Izraelit dhe palestinezëve është po aq i vështirë për t’u imagjinuar. Nuk ka qenë përherë kështu. Disa herë, negociatat për krijimin e një shteti palestinez krah atij Izraelit nën kushtet e të dyjave qenë pranë suksesit. Por, në çastin e fundit, liderët palestinezë u tërhoqën nga frika e dakordësimit për më pak nga sa kishin pretenduar historikisht palestinezët, duke menduar se kjo do t’i linte ata politikisht të brishtë para fanatikëve që besonin se kompromisi ishte i panevojshëm sepse koha dhe opinioni botëror ishin në anën e palestinezëve.
Ky ishte një gabim historik. Ajo çka ofrohej në të shkuarën tanimë është e pamundur. Politika izraelite ka ndryshuar fuqishëm djathtas. Entitetet hebreje në Bregun Perëndimor janë rritur ndjeshëm në aspektin e zonës dhe popullatës. Netanyahu premtoi gjatë fushatës së fundit të fillojë aneksimin e Bregut Perëndimor. Presidenti amerikan Donald Trump, administrata e të cilit e zhvendosi Ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem dhe përmbysi rreth 40 vite politikë amerikane duke njohur autoritetin izraelit ndaj Lartësive Golan, mund të mbështesë më tej aneksimin izraelit.
Pjesa më e madhe e botës është lodhur nga konflikti. Disa qeveri arabe, të shqetësuara nga Irani dhe kërcënimet e brendshme më shumë sesa nga Izraeli, po përgatiten të punojnë me Izraelin në heshtje dhe në disa raste edhe haptazi. Ndasitë mes liderëve palestinezë po bëhen gjithnjë e më shumë përçarje ndaj asaj që duhet kërkuar ndaj Izraelit dhe asaj që duhet pranuar.
Administrata Trump mund të zbulojë një iniciativë paqeje në këtë kontekst. Por, propozimi i saj ka pak gjasa të zgjidhë problemet territoriale, politike dhe refugjate që janë në qendër të krijimit të një shteti palestinez. Një plan i Trumpit ka më shumë gjasa të fokusohet në ofrimin e stimujve ekonomik te palestinezët në një përpjekje për të inkurajuar kompromisin. Ka gjasa që të mos ketë sukses.
E ardhmja më e mundshme është devijimi. Palestinezët do të vazhdojnë të kenë autonomi të limituar në pjesë të Bregut Perëndimor dhe Gazës. Në një pikë (që i jemi afruar, por nuk e kemi arritur), potenciali i një shteti palestinez do të reshtë së ekzistuari.
E gjitha kjo mbart edhe një rrezik për Izraelin po ashtu. Ka një tension të pazgjidhur mes Izraelit të mbetur një shtet hebre dhe demokratik nëse vazhdon të ushtrojë kontroll politik mbi miliona palestinezë që nuk janë shtetas izraelit. Shmangia e kësaj zgjedhjeje dhe ruajtja e status quo-së do të zemërojë palestinezët dhe do të rrisë izolimin izraelit në rajon dhe botë (veçanërisht nëse ndodh aneksimi).
Disa do të argumentojnë se ky vlerësim është shumë pesimist. Shpresoj të kenë të drejtë. Por, edhe nëse kanë të drejtë, përfitimet e progresit mes izraelitëve dhe palestinezëve nuk do të përhapen. Lidhur ngushtësisht me paradigmën territor për paqe qe edhe besimi se duke nxitur paqe mes Izraelit dhe shteteve arabe fqinje, një marrëveshje izraelite-palestineze do të sillte begati në rajon. Por, zgjidhja e konfliktit izraelit-palestinez nuk do t’i japë fund luftës civile në Siri apo kasaphanës në Jemen, ambicieve bërthamore të Iranit, kufizimit të liderëve të Arabisë Saudite apo nuk do të përmirësojë shtypjen dhe korrupsionin që ka përfshirë rajonin.
Ndaj edhe nëse konflikti izraelito-palestinez do të merrte fund, problemet e Lindjes së Mesme nuk do të kishin këtë fat. Dhe, nuk ka arsye për të parashikuar se konflikti izraelito-palestinez do t’i afrohet fundit. Është koha për një ndryshim paradigme në mënyrën si e mendojmë Lindjen e Mesme, jo sepse është shfaqur një model më i mirë diplomatik (nuk është e vërtetë), por sepse paradigma aktuale bie në kontradiktë me realitetin. /Project Syndicate/BIRN/