Telegrafi

Strugë, një makinë spitalore për mbi 60 mijë banorë

Spitali i qytetit në Strugë, i cili mbulon territor prej 60 mijë banorëve, ka vetëm një makinë spitalore. Atë e përdorin gjithë departamentet e spitalit, të cilat disa herë gjatë ditës kanë nevojë për transport të pacientëve në klinikat e Shkupit.

“Është e vërtetë që kemi vetëm një makinë dhe e njëjta është prej vitit 2007 dhe ka të kaluar 400 mijë kilometra. Gjithë spitali e shfrytëzon vetëm atë makinë. Shpesh kërkojmë ndihmë nga Shtëpia e Shëndetit, me të cilën kemi marrëveshje”, tha për Alsat, Veli Musa – drejtor i spitalit të Strugës.

Mirëpo situata është më alarmante, pasi makina nuk ka ngrohje dhe nuk i punojnë dritat për ndriçimin e posaçëm. Çdo shkuarje deri në Shkup është tregim në vete.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se do të gjejnë zgjidhje për këtë problem, ndërsa deri atëherë spitali do të duhet që me buxhetin e vetë të gjejë qoftë edhe një makinë.