Site icon Telegrafi

Struganët: Ujë kanë gjetur edhe në Mars, ne ende nuk kemi (Video)

“Ujë kanë gjetur edhe në Mars, ndërsa ne ende nuk kemi”. Me këtë moto qindra Strugan sot protestuan para selisë së Ndërmarrjes Publike të Ujësjellësit Proakva. Ata thonë se madje edhe nga 16 orë nuk kanë ujë për pije në mes të verës në temperatura deri më 40 gradë, raporton Alsat M.

Nga Proakva arsyetohen se në burimet në Shumë dhe Belicë të Epërme është zvogëluar rrjedha e ujit. Ata thonë se janë të pa fuqishëm ta zgjidhin problemin prandaj janë vendosur restriksione. Problem shtesë është edhe mungesa e të reshurave si dhe keqpërdorimi i ujit për pije.

“Ne ende nuk kemi ujë. Ujë kemi deri në 08:30 në mëngjes, ndërsa më pas deri në orën 23 ose 24 nuk kemi ujë. Ndërsa ndonjëherë ujë nuk kemi deri në mëngjes. Mendoj se me këtë protestë kompetentët do ta zgjidhin problemin pasi nuk mund të jetohet pa ujë.”

“Unë jetoj në katin e pestë dhe çdo vit është keq e më keq. Në tre javët e fundit nga 15 – 16 orë nuk kemi pikë uji. Kompetentët në komunë dhe në ndërmarrjen publike nuk bëjnë asgjë për ta zgjidhur problemin. Për atë se a është instalimi i vjetër, apo nuk janë ndërruar gypat, apo nëse çdo e dyta shtëpi ka bajpas, apo nuk punon pompa sepse ndërmarrja nuk ka paguar rrymë, kjo neve nuk na intereson”. /Telegrafi/

Exit mobile version