Site icon Telegrafi

Struganët e deportuar nga Italia mohojnë akuzat për ekstremizëm (Video)

Pesë shtetas të Maqedonisë, katër burra dhe një grua të një familje që u dëbuan nga Italia, tashmë janë në shtëpitë e tyre në fshatin Oktis të Strugës. Kryefamiljari që nuk dëshiron të flas para kamerave mohon se kanë pëkrahur Shtetin Islamik, kanë ndonjë lidhje më të dhe kanë rekrutuar njerëz për të luftuar në rajonet e krizës në Lindjen e Mesme, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas tij, gjatë 16 viteve sa ka qëndruar në Itali, nuk ka pasur asnjë problem me shtetin.

Ai tha se dyshimet kryesore policia i ka pasur tek djali i tij, i cili ka kontaktuar me më shumë persona tjerë, por që sipas tij, kanë qenë biseda private që kanë pasur të bëjnë me organizimin e ndeshjeve të futbollit.

Kryetari i Bashkësisë Lokale të Oktisit, Dalip Tairoski, e njeh mirë këtë familje dhe se nuk beson se ata të jenë të përfshirë në aktivitete të tilla.

“T’ju them të drejtën, u befasova shumë. Fillimisht kur më treguan, nuk besova, por më pas i pashë edhe vetë”, u shpreh Dalip Tairoski, Bashkësia Lokale Oktis.

Pas mbërritjes së tyre në Maqedoni, policia i ka kontrolluar dhe më pas i ka lënë të lirë, duke mos iua konfiskuar as pasaportat. Nga MPB-ja theksuan për TV21 se pas kryerjes së bisedës informative me pesë shtetasit e deportuar nga Italia, atyre u është lejuar hyrja në vend, por duke mos dhënë detaje të tjera.

Kryefamiljari thotë se në Itali ka edhe disa pjesëtarë të familjes së tij, dhe se është në kontakt me avokatët italian, që sa më shpejtë të përfundojë kjo çështje.

Banorët e këtij fshati thonë se ky nuk është rasti i parë që një banorë i Oktisit është ndaluar nga policia evropiane nën dyshimin për bashkëpunim me organizata terroriste./Telegrafi/

Exit mobile version