Struga Trim Lum sot (e enjte) pasdite do të zhvillojë një nga ndeshjet më të rëndësishme të saj, ku në Islandë do të përballet me Breidablik për një vend në grupet e Ligës së Konferencës.
Struganët në ndeshjen e kthimit të play off-it që zhvillohet sot do të kërkojnë të përmbysin rezultatin 0:1 të një jave më parë të pësuar në Ohër nga i njejti kundërshtarë, për të marrë kualifikimin historik për në grupe të këtij turneu të UEFA-së.
Për Strugën kjo është hëra e parë që arrin të luajë në këtë fazë dhe të jetë shumë afër grupeve. Ekipi Shpëtim Duros kishte ecuri të mirë gjatë kësaj vere në arenën europiane, duke mbetur përfaqësuesja e vetme e Maqedonisë në këto gara, pasi ekipet tjera u eliminuan në xhiron e parë dhe të dytë.
Struga Trim Lum për ndeshjen e sotme do të ketë dy mungesa, pasi në dispozicion për lojë nuk do të mund të jenë, Marjan Radeski dhe Vangjel Zguro, ndërsa pjesa tjetër e ekipit është e gatshme për të dhënë maksimumin.
Përballja ndërmjet Breidablik dhe Struga Trim Lum luhet sot në stadiumin “Kopavogsvollur”, duke nisur nga ora 18:45.
Kujtojmë se këtë ndeshje do të ndajë drejtësinë arbitri gjerman, Daniel Schlager, ndërsa dy asistentët e tij do të jenë Lasse Koslowski dhe Sven Waschitzki, derisa arbitër i katërt do të jetë Patrick Ittrich. /Telegrafi/