Struga është fituese e edicionit 2017 të Kupës Pavarësia.
Skuadra shqiptare që militon në ligën e dytë maqedonase triumfoi përballë Otrant nga Ulqini në finalen e dy klubeve që u paraqitën në turne si më pak favoritët. Finalja u mbyll në barazim pa gola, ndërsa Struga fitoi 4-1 pas ekzekutimit të penalltive.
Struga nuk zhgënjeu në pjesëmarrjen e parë në Kupën Pavarësia, ku zëvendësoi Shkëndijën e Tetovës, që u detyrua të tërhiqej prej faktit që është në pozita shumë të mira në garën për titullin në kampionat.
Ekipi i vendlindjes së Nijas Lenës, një prej “yjeve” të kampionatit shqiptar kaloi Tiranën 1-0, ndërsa Otrant fitoi 2-1 me Lirinë e Prizrenit.
Dy finalistet ishin të avantazhuara sepse rivalët nuk u paraqitën me ekipet më të mira prej angazhimeve në kupë dhe kampionat.
Edhe pse luajti në inferioritet numerik në pjesën më të madhe të finales 45-minutëshe, ekipi strugan arriti të mos pësonte gol, edhe pse kundërshtarët nga Ulqini kishin dy shanse shumë të mira për të shënuar.
Me suksesin 4-1 pas penalltive Struga u shpall fituese e trofeut Pavarësia. Liria ishte ekipi “Fair Play” i turneut, ndërsa Altin Loga i Strugës u shpall “Lojtari më i Mirë”. /Supersport/